Të martën komunat padisin dy ministri në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thonë se u dëmtuan 35 milionë €

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 11:47 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Komunave të Kosovës të martën në ora 10:30 do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka konfirmuar për Ekonomia Online, Sazan Ibrahimi, kryetar i këtij Asociacioni.

Ai ka sqaruar se në bazë të vlerësimeve del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro.

Sipas tij, shumica e këtyre mjeteve financiare kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal.

“Nesër, zyrtarët komunalë të cilët janë përgjegjës për të ngritur padi në emër të komunave, do të jenë aty në orën 10:30, para gjykatës kompetente, në këtë rast Gjykatës Themelore të Prishtinës. Nesër komunat e Republikës së Kosovës do të mobilizohen dhe do ta deponojnë padinë, secila komunë veç e veç, ndaj ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për dëmet që ju kanë shkaktuar komunave përgjatë viteve të tëra sa i përket zbatimit të kontratave kolektive në arsim, përkatësisht në shëndetësi”.

“Në bazë të vlerësimeve të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka, del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve financiare, në të kaluarën kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal”.

Ai thotë se nuk janë kundër kontratave kolektive, por po kërkojnë që barrën financiare ta marrin institucionet që i kanë nënshkruar, raporton EO.

“Shumica e këtyre projekteve nuk kanë mundur të zbatohen, për shkak se përmes mjeteve përmbarimore, këto mjete financiare u janë marrë komunave, edhe pse komunat nuk janë nënshkruese të këtyre kontratave kolektive”.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës, komunat, kryetarët e komunave nuk janë kudër kontratave kolektive. Por, gjithnjë kanë qenë kundër marrjes së mjeteve financiare nga komunat, edhe pse komunat nuk kanë qenë nënshkruese të kontratave”.

“Komunat kërkojnë drejtësi në këtë rast. Komunat kërkojnë që organet kompetente, që kanë nënshkruar kontratat këto kontratat kolektive, ta marrin edhe barrën financiare. Kjo është kërkesa e Asociacionit dhe e gjithë komunave”.

Të ngjashme