Është mbajtur diskutimi i iniciuar nga Komisioni për Integrime Evropiane me mbështetje të GIZ-it gjerman në Kosovës për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe rolin e tyre karshi integrimeve evropiane.
Aty u tha se Shtetet e Ballkanit Perëndimorë të gjitha aspirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian (BE), por një gjë e tillë është parë si e pamundur pa bashkëpunim rajonal. Ndërkaq të parët të cilët preken me këto sfida janë të rinjtë.
Gjithashtu u theksua se të rinjtë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë ballafaqohen me sfida të njëjta, siç është papunësia, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, tha se të rinjtë duhet të kenë përfshirje në jetën politike sociale dhe ekonomike dhe se pa përfshirjen e tyre në këto tema, çdo iniciativë do të ishte e kotë.
“Përderisa e festojmë Javën e Evropës jam e lumtur që kemi zgjedhur të përqendrohemi tek të rinjtë. Përderisa Kosova ka popullatën më të re dhe të flitet për çfarëdo teme pa e përfshirë rininë është e kotë”, tha ajo.
“Rinia duhet të jetë pjesë e jetës politike, sociale dhe ekonomike. Rinia jonë nuk qëndron në pozicion të favorshëm, përderisa papunësia është shumë e lartë dhe se ata nuk mund të lëvizin lirshëm sikur moshatarët e tyre nëpër vendet e BE-së”, theksoi Emini.
“Themelimi i Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor ka ardhur në momentin e duhur, e cila ka një rëndësi të veçantë, ku të rinjtë do të kenë përfitime të mëdha. Përderisa shpresojmë për anëtarësim në BE, që unë besoj që nuk do të jetë në një të ardhme të largët”, tha Emini.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se është me rëndësi t’i kushtohet vëmendje rinisë, “sepse është motori që do të bëjë ndryshimet”.
“Edhe unë jam bullgare dhe gjenerata ime ka bërë kalimin nga një sistem në sistemin tjetër dhe është me rëndësi t’i kushtohet vëmendje rinisë, sepse ajo është motori që do t’i bëjë ndryshimet. Mirëpres themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor, e cila do të përfshijë programe që do t’i hap mundësi të mira për të rinjtë”, tha Apostolova.
“Mobiliteti është me rëndësi edhe për Ballkanin Perëndimor, përmirëson shkathtësitë, ndihmon shkëmbime… Investimi në rini është investimi më i qëndrueshëm që mund të bëhet”, tha ajo.
Zv.ambasadorja gjermane, Christina Gehlesen, tha se është mrekulli që sot dy gjenerata të kenë ndjenja e të qenit anëtar i familjes evropiane.
“Mendoj se ndonjëherë në Kosovë harrohet se Kosovën e kanë themeluar shtete që kanë dalë nga lufta dhe kanë pasur lufta në mes vete. Është mrekulli që sot dy gjenerata me pas ndjenja e të qenit anëtar i një familje evropiane, është ndjenjë e përbashkët e shumicës. Një nga të arriturat kanë qenë programet e këmbimit dhe bashkëpunimi në mes të rinjve, dhe është vështirë të gjendet një i rritur që nuk ka përfituar nga këto programe, të gjithë kanë marrë diçka nga këto dhe e kanë bërë pjesë të personalitetit të tij”, tha ajo.
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Qendrave Rinore të Kosovës, Krenare Gashi tha se sfidat e të rinjve të Ballkanit Perëndimor janë papunësia e të rinjve dhe niveli i ulët i mobilitetit në mes shteteve.
“Bashkimi Evropian është një rajon tejet i komplikuar dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, por të parët që preken nga sfidat me të cilat kalon ky rajon janë sigurisht të rinjtë. Sfidat janë të panumërta si: papunësia e të rinjve dhe niveli i ulët i mobilitetit, jo vetëm në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimorë dhe Shteteve të BE-së, por mobilitet të ulët kanë edhe shtetet në mes tyre. Andaj secili program që do të mundësonte tejkalimin e këtyre sfidave është i mirëseardhur”, tha Gashi.
“Një shembull i mirë mbetet themelimi i Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në Ballkanin Perëndimor, e cila synon që nëpërmjet lëvizshmërisë së të rinjve në këtë rajon që të ndihmojë që procesi i pajtimit në mes të shteteve të vazhdojë edhe më tutje”, tha ajo.