Të rinjtë e Ferizajt do të bëhen me qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Ferizaj | 11 Maj 2018 | 11:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt kanë mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit për hapjen e “Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj”.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se kjo qendër është aseti më i vlefshëm që mund të ketë vendi ynë dhe se synim i kësaj qendre është që studentëve dhe nxënësve t’u mundësohet zbatimi praktik i njohurive teorike, raporton Ekonomia Online.

“Fatmirësisht Kosova po bëhet aset i rëndësishëm, jo vetëm në nivel vendi por edhe në rajon edhe më gjerë. Të rinjtë tanë po depërtojnë dhe zhvillohen më shpejt sesa iu është mundësuar deri më tani, si në institucione shtetërore edhe atë akademike”, tha Beqaj.

Beqaj tha se kjo qendër është fillim i ri për qytetin e Ferizajt dhe Qeverinë e Kosovës, raporton EO.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është e fokusuar në vizionin e saj që Kosova të jetë qendër e inovacionit në botë e sidomos në Ballkanin Perëndimor. Nuk është e lehtë për të arritur, por me dije që ka rinia jonë dhe me rritje të shpejtë që ata po bëjnë, po na tregojnë që investimi në dije dhe inovacion dhe rritja ekonomike bazohet në resurset për të çuar përpara vendin”, shtoi Beqaj.

Beqaj përmendi edhe një projekt i cili do të bëhet së shpejti në Prizren. Sipas tij, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Qeverinë gjermane do të themelojnë një park për inovacion në të cilën do të trajnohen të rinjtë kosovarë dhe kjo qendër ka 39 hektarë.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se kjo qendër është njëra ndër zotimet e tij si kryetar i Ferizajt, e cila tashmë po realizohet përmes nënshkrimit të këtij memorandumi.

“Qeverisja ime ka fat dhe si kurrë më parë ka mbështetjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në krye me Besim Beqajn, i cili që në ditën e parë të qeverisjes time ka realizuar një vizitë në Ferizaj duke garantuar fillimin e këtij projekti kaq të madh për komunën tonë”, tha Aliu.

Aliu tha se Ferizaj është qytet ekonomik dhe kjo qendër do të munësojë dhe ofrojë mundësi të tjera për të realizuar ide kreative biznesore, raporton EO.

“Ferizajt po i shtohet një aset i vlefshëm që i ka munguar vendit, kjo qendër që krijoi mundësi në fushën e teknologjisë ku ju do të realizoni planet tuaja profesionale dhe rezultatet e juaja që kanë për të shërbyer me aplikim efikas të politikave tona dhe shërbime të qytetarëve”, shtoi Aliu.

Të ngjashme