Të rinjtë kosovarë bashkohen për paqe dhe tolerancë

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 12:40 | Nga

Dhjetëra të rinj iu bashkuan këtë të diel fushatës kundër ekstremizmit “United for Peace” përmes aktivitetit “Lë gjurmë për paqe” që u zhvillua në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Tenda me ngjyra, e vendosur nga grupi i fushatës, mblodhi të rinj por edhe qytetarë të moshave të tjera të cilët përmes vizatimeve dhanë mesazhe për paqen dhe kundër ekstremizmit.

Vlora Ademi, anëtare e fushatës “United For Peace”, njëkohësisht studente në Kolegjin AAB,u shpreh e kënaqur me gatishmërinë e të rinjve për të kontribuar në promovimin e paqes në vendin tonë.“Trace for peace apo Lë gjurmë për paqe” është një aktivitet që do të udhëtojë edhe në qytete të tjera të Kosovës, pikërisht për t’u dhënë mundësi të rinjve që përmes pikturës ta shfaqin mendimin e tyre, e po kështu edhe të kalojnë momente argëtimi”, u shpreh ajo.

Grupi i fushatës “United for Peace”, deri në këtë fazë ka zhvilluar disa aktivitete si brenda po ashtu edhe jashtë ambienteve të Kolegjit AAB. Gjatë javës ata janë takuar me dhjetëra të rinj në mënyrë që zëri i tyre kundër ekstremizmit të dëgjohet.

Kastriot Hetemi, anëtar i fushatës thotë se reagimet e të rinjve për aktivitetet tona kanë qenë kryesisht pozitive duke theksuar se një fushatë e tillë duket se i ka munguar Kosovës. Fushata kundër ekstremizmit fetar “United for Peace” është e dizajnuar nga studentët e Kolegjit AAB në kuadër të projektit global kundër ekstremizmit “Facebook global digjital challenge” që mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe rrjeti social Facebook.

Qëllimi i kësaj fushate është vetëdijesimi i të rinjve kundër ekstremizmit dhe promovimi i paqes dhe tolerancës fetare në Kosovë. Aktivitetet e fushatës përfshijnë takime me të rinjtë kosovarë si dhe aktivitete në kuadër të Kolegjit AAB por edhe jashtë tij, në komuna të ndryshme të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme