Shtëpia e Evropës në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, ka organizuar një sesion joge me Driada Matoshin, raporton Ekonomia Online.
Pjesëmarrës të të gjitha moshave, mësuan bazat e “yoga”-s, që do t’iu ndihmojë të zhvillojnë shkathtësi për kujdesin ndaj trupit dhe mendjes, për një jetë më të shëndetshme.
Përveç dhënies së udhëzimeve, Matoshi inspiroi pjesëmarrësit të merren me “yoga” edhe profesionalisht.
2023-ta është shpallur si Viti Evropian i Shkathtësive, andaj shumë nga aktivitetet për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë janë fokusuar në zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.
Sipas Zyrës së BE-së, punëtoritë dhe trajnimet e ngjashme synojnë që t’i pajisin të rinjtë me shkathtësi thelbësore të jetës që do të rrisin jo vetëm potencialin e tyre për të shkëlqyer në tregun e punës, por edhe në jetën e tyre personale.