Të shtunën do të zhvillohet ndeshja e parë zyrtare e vitit në futbollin kosovar.
Bëhet fjalë për ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, ndërmjet Ferizajt dhe Feronikelit.
Kjo ndeshje nis në orën 13:00, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Me ndeshjet për kupë hapet edicioni pranveror në futbollin kosovar.
Tri ndeshjet e tjera çerekfinale luhen të dielën. Nga ora 13:00 janë takimet Vëllaznimi – Drita dhe Kika – Ballkani, ndërsa në orën 15:00 nis ndeshja Prishtina – Trepça ’89. Kjo e fundit vlerësohet kryendeshja e këtij rrethi të garave për Kupë, që ofron njërën prej dy biletave për dalje në kupa evropiane, përkatësisht në kualifikime për Ligën e Evropës.
Garat në Superligën e Kosovës vazhdojnë më 16 shkurt.