Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka mbajtur takim ku kanë diskutuar për problemet që kanë personat me aftësi të kufizuar e sidomos Shoqata e të Verbërve në transportin e tyre përmes autobusëve, raporton Ekonomia Online.
Kërkesat e Iniciativës të të verbërve ishin që të vendoset një zërim për ta në stacione të autobusëve dhe në autobusë në mënyrë që këta persona të dinë se ku janë për momentin. Ata kërkuan vendosjen e shenjave në autobus në mënyrë që kur ata të jenë në brenda autobusit të lirohet një vend për ta.
Halil Kurmehaj nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve tha se kërkon që kërkesat e tyre të realizohen qysh në fillim të vitit të ardhshëm, në muajin janar, në mënyrë që komuniteti i personave me aftësi të kufizuar të kenë të drejtat e barabarta me të tjerët dhe të respektohen nga ana e operatorëve.
Ai tha se zv. ministri Selimaj po e mbështet këtë komunitet dhe po jep një sinjal të qartë për komunitetin.
“Ka pas raste që janë larguar personat e verbër nga autobusi në relacionin Ferizaj-Prishtinë, ne po kërkojmë nga shoqata e juaj dhe transportuesit ndërurban dhe trafiqet urbane që një problem i tillë i këtij komuniteti të përmirësohet një herë e përgjithmonë”, tha Kurmehaj.
Ata kërkuan që të lirohet edhe bileta për këta persona.
“Të lirohet bileta sipas ligjit, të mos skuqet një person i verbër para pasagjereve, nga java e parë e janarit të sinjalizohet transporti me anë të zërit sepse nuk ka kosto dhe për herë të parë në Kosovë të ofrohet një shërbim që ky komunitet të dijë se ku dhe çfarë stacioni është”, tha ai.
“Komuniteti i të verbërve kërkon të merren këto masa për këtë kategori, të bëhet sinjalizimi i transportueseve me zë, të vendosen shenjat e qarta për gjithë operatorët sepse nëse ka pasagjer me aftësi të kufizuar automatikisht të lirohet një vend për të dhe të mos mbeten në mëshirën e pasagjerëve se kush u liron vendin, të vendoset vendimi me shkrim prerja e biletës, të vendoset zërimi që këta udhëtarë të dinë se ku janë, nëse një hap i tillë bëhet do të ketë një barazi dhe gjatë shfrytëzimit të transportit ndërurban ky komunitet për herë të parë në Kosovë ju do ofroni një qasje të barabartë dhe dinjitoze”, tha Kurmehaj.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj tha se ligji i jep përkrahje komunitetit me aftësi të kufizuara dhe kërkon që operatorët e autobusëve t’i respektojnë detyrimet që i kanë dhe të i zbatojnë.
Ai tha se operatorët janë pajtuar që personat me aftësi të kufizuar të paguajnë 50% të çmimit dhe sipas tij do të bëhet e mundur që këta persona të mos paguajnë asgjë gjatë udhëtimit.
“Në si shoqatë do përkrahim 100% çdo kërkesë tuajën dhe ju premtoj se kjo pagesë për persona të verbër dhe shoqërueseve të tyre prej 50% të çmimit do të jetë 0 falë operatorëve transportues”, tha ai.
Idriz Selimaj, zëvendësministër i Infrastrukturës, tha se infrastruktura është një fushë problematike, por nga ministrija, kategoria e personave me aftësi të kufizuar e ka mbështetjen e plotë dhe do punohet që kërkesat e tyre të zbatohen 100%, raporton Ekonomia Online.
“Shoqata e aftësive të kufizuara duhet të mbështetët që të bëjnë jetën e barabartë me gjithë tjerët dhe unë përkrahi këta”, tha Selimaj.
Jakup Berisha, operator nga Gjilani tha se kjo kategori e ka mbështetjen e tyre sepse është e vendosur edhe me ligj.
“2 karriget e para duhet të rezervohen për persona me aftësi të kufizuar ashtu është edhe me ligj, por ne nuk kemi çfarë të bëjmë kur të vijnë edhe më shumë”, tha Berisha.
Shoqata e Transportit rrugor të udhëtarëve në mbledhjen e sotme ka shfaqur po ashtu disa shqetësime të tyre për problemet në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, lidhur ngritjen e çmimit të peronizimeve.
Stacioni i Autobusëve në Prishtinë prej ditës së premte është duke e zbatuar një taksë të re për peronizime të transportueseve rrugor të udhëtarëve, të cilën taksë po e kundërshtojnë transportuesit, ngaqë po konsiderohet e lartë, prej 50 cent, 2 euro dhe 5 euro.
Emin Sylejmani, ushtrues i detyrës së kryeshefit të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ka arsyetuar ngritjen e çmimeve, që sipas tij, është ngritje e lehtë e cila ka ardhur pas heqjes së 10 centshit për çdo udhëtar.
Edhe Rexhep Sejdiu transportues nga Gjilani ka kundërshtuar tarifat e reja duke thënë se kjo taksë është mjaft e lartë.
Kurse, në fund përfaqësuesit e shoqatë dhe bordit të stacionit u dakorduan që deri të premten të takohen për të arritur një marrëveshje, dhe deri atëherë të mos hyn në fuqi taksa e re për peronizimin.
Faton Raçi, kryesues i Bordit në Stacion të Autobusëve, ka thënë se janë të gatshme që gjejnë një zgjidhje.