Twitteri fshin postimin e ambasadës kineze se gratë ujgure nuk janë më “makina prodhimi foshnjash”

Prishtinë | 10 Jan 2021 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Twitteri ka fshirë një postim të Ambasadës së Kinës në SHBA, pasi ka shkruar se gratë ujgure janë “emancipuar” nga ekstremizmi dhe më nuk janë “makina për prodhimin e bebeve”. Postimi është lidhur me një artikull që mohonte akuzat për sterilizim të detyruar në Xinjiang.

Twitteri ka thënë se postimi ka “shkelur rregullat e Twitterit”, por nuk ka dhënë detaje më shumë.

Artikulli që lidhej me postimin thoshte se “studimi tregon që në proces të çrrënjosjes së ekstremizmit, mendjet e grave ujgure në Xinjiang janë emancipuar dhe barazia gjinore e shëndeti riprodhues janë promovuar, duke bërë që ato të mos jenë më makina prodhimi të bebeve. Ato kanë më shumë vetëbesim dhe janë më të pavarura”.

Kjo frazë është marrë nga artikulli i bashkangjitur, ku thuhej se një studim i papublikuar nga Qendra për Studim dhe Zhvillim e Xinjiangut ka gjetur se ulja e lindshmërisë dhe rritja e popullsisë në rajon më 2018 ishte për shkak të çrrënjosjes së ekstremizmit fetar, shkruan The Guardian.

“Ndryshimet nuk janë shkaktuar nga “sterilizimi i detyrueshëm” i popullit ujgur, ashtu siç vazhdimisht thuhet nga disa studiues dhe politikanë perëndimorë”, thuhej më tej.

Ambasada kineze në llogarinë në Twitter më vonë ripostoi shkrimin me një tjetër frazë: “Studimi tregon se ndryshimi i popullimit në rajonin autonom ujgur të Xinjiangut në Kinë përfshinë përmirësimin e përgjithshëm të shoqërisë. Një numër në rritje i të rinjve zgjedh të shpenzojë më shumë kohë dhe energji në zhvillim personal”.

Një studim i Associated Press kishte zbuluar se autoritetet kishte shënjestruar qindra mijëra gra ujgure për kontrolle të shtatzënisë dhe i kishte detyruar të vinin pajisje për të parandaluar shtatzëninë, kishte detyruar sterilizimin dhe abortin. AP-ja kishte zbuluar se shkalla e lindshmërisë kishte rënë në mbi 60 për qind në mes të 2015 dhe 2018 në shumicën e rajoneve ujgure. AP-ja kishte thënë se zbulimet ishin bërë bazuar në të dhënat e qeverisë, dokumentet qeveritare dhe intervistat.

Në një përgjigje për CNN-it për gjetje të ngjashme më këto, qeveria kineze i kishte thënë se ulja e lindshmërisë ishte për shkak të “zbatimit gjithëpërfshirës të planifikimit familjar”.

Në shtator, një grua ujgure, Sidik, i tha The Guardian se në moshën 47 vjeç, ishte detyruar të vendoste një pajisje për parandalimin e shtatzënisë dhe se tri vjet më vonë ishte sterilizuar. Ajo tha se një mesazh i kishte ardhur nga autoritetet që thoshte: “Mos rreziko jetën tënde, as mos e provo”.

Të ngjashme