Shkencëtarët në Universitetin Duke kanë zhvilluar një teknologji e cila së shpejti do t’u mundësojë hulumtuesve ta përcjellin një molekulë të vetme të ilaçit derisa udhëton nëpër trupin e njeriut.
Teknologjia e përdor një etiketë kimike e cila bën që molekula a bartësit të ndriçojë nën skanimin e rezonancës magnetike. Kur molekula bashkëvepron me molekulat e tjera brenda trupit, fluoreshenca e MRI-së e ndryshon frekuencën, transmeton koha.net.
Teknologjia mund t’u mundësojë hulumtuesve ta kuptojnë më mirë se si metabolizohet nga trupi një ilaç.
“Metodat me MRI janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të vogla në strukturën kimike, kështu që në fakt mund t’i përdorni këto etiketa për t’i skanuar direkt transformimet kimike”, tha në një njoftim për shtyp Thomas Theis, profesor asistent i hulumtimit në departamentin e kimisë në Duke.
Etiketat MRI nuk janë të reja, por shkencëtarët në Duke kanë zhvilluar një mënyrë më të saktë dhe të gjithanshme për t’i bashkëngjitur etiketat në molekulat e synuara, duke e përdorur një lloj materiali ngjitës (Velcro) kimik.
“Etiketat janë si poçet e mbuluara me velcro”, tha studenti në Duke, Junu Bae. “Ne e bashkëngjesim anën tjetër të velcro në molekulën e synuar, dhe sapo e gjejnë njëri-tjetrin ato ngjiten”.
Teknika velcro i bën etiketat bioortogonale, që do të thotë se ato ngjiten vetëm tek molekulat e synuara dhe i injorojnë të gjitha të tjerat.
Kur etiketa lidhet me objektivin e saj molekular, reaksioni kimik e prodhon një formë unike të gazit të azotit. Shkencëtarët thonë se produkti anësor i gaztë mund të jetë i dobishëm gjatë problemeve hulumtuese me sistemin pulmonar.
“Mund të imagjinohen shumë aplikime të mundshme për gazin e azotit, por ne kemi menduar për skanimin e mushkërive”, tha Theis.
Studiuesit e kanë detajuar teknologjinë e tyre të re në revistën “Science Advances”.
Shkencëtarët tani po punojnë për t’u siguruar që etiketat të mbijetojnë në mjediset e ndryshme kimike që gjenden në trupin e njeriut. Ata po punojnë gjithashtu për ta rritur intensitetin me të cilin ndriçohen etiketat molekulare.