Një fotografi e vjetër dhe teknologjia moderne e njohjes së fytyrës mund të ndihmojnë dy vëllezër izraelitë të zbulojnë se babai i tyre mbijetoi nga Holokausti nazist.
Duke kërkuar të dhëna për të kaluarën, Eli dhe Saul Lieberman iu drejtuan një qendre izraelite kërkimore, e cila shpreson t’i lidhë fotografitë e familjes nga Lufta e Dytë Botërore me bazën e të dhënave të saj me dhjetëra e mijëra foto, shumë të marra nga ushtarët gjermanë, raporton Reuters.
Ato foto tregojnë trupat gjermane, si dhe njerëzit në fshatra dhe qytete me popullsi hebraike.
Qendra Memoriale e Holokaustit, Shem Olam, nisi projektin e saj në korrik, duke bërë thirrje përmes mediave sociale që njerëzit të dërgojnë fotografi për skanime të njohjes së fytyrës.
Vëllezërit Lieberman dinë pak detaje për tmerret që babai i tyre i ndjerë, Jozefi, vuajti gjatë Holokaustit, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenj.
Por një fotografi e bërë diku në Evropë pas luftës tregon babanë e tyre së bashku me dy kushërinjtë, transmeton KTV.
“Ne jetojmë në një botë që nëse nuk mund t’i siguroni dokumentin ose foton, nuk konsiderohet sikur ka ndodhur. Njerëzit duan të dinë se nga kanë ardhur”, tha Saul Lieberman.
Deri më tani, Shem Olam ka marrë mijëra foto nga publiku, por vetëm disa lidhje janë bërë pas hulumtimeve të mëtejshme dhe asnjë nuk ishte përfundimtare.
Avraham Krieger, drejtori ekzekutiv i qendrës, tha se shpresonte që përparimet në teknologji dhe një bazë e të dhënave do të ndihmonin në lidhjen e një brezi të ri me Holokaustin.
Në Evropën Lindore, studiuesit e fushës kanë marrë gjithashtu fotografi nga banorët lokalë.
Ndërsa qendra Shem Olam, gjithashtu, ka bashkëpunim me arkiva të ndryshme në të gjithë botën.
Shërbimi ofrohet falas, tha Assaf Fassy, menaxher i shërbimeve digjitale për Shem Olam. Ai, gjithashtu, shpreson se projekti do të ndihmojë në luftimin e mohimit të Holokaustit.