Telekomi zbulon arsyet pse nuk funksiononte VALA

Prishtinë | 22 Maj 2023 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës njofton se është duke zgjeruar platformën për 4G.

Prandaj, thekson se të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G.

“Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”, njofton Telekomi.

Tutje, Telekomi i falënderon qytetarët për mirëkuptim.

Njoftimi i plotë:

Nevojat e konsumatorëve tanë për shërbime të internetit janë në rritje të vazhdueshme. Për t’i përballuar këto kërkesa dhe të gjitha kërkesat tjera, aktualisht Telekomi ka hyrë në fazën e ndërrimit të platformave ekzistuese, të cilat si pasojë e mungesës së investimeve teknologjike prej mbi 8 vite, nuk kanë më kapacitet të mjaftueshëm për ta përballuar rritjen e kërkesave për shërbime të avancuara të internetit.

Falë investimeve shumëmilionëshe për modernizim të rrjetit dhe platformave tona teknologjike, në këtë fazë po bëhen përpjekje që të rriten kapacitetet, ashtu që konsumatorët tanë të mund të shfrytëzojnë sa më mirë shërbimet tona përmes ofertave shumë të favorshme.

Të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, të cilat veçse janë rritur për rreth 25%, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G. Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre.

Ne jemi kompani e telekomunikacionit, pasuri e publikut dhe në shërbim të publikut. Edhe njëherë, jemi në fazë intensive të ndërrimit të platformave ekzistuese me ato të fjalës së fundit në teknologjinë telekomunikuese. Si edhe deri më tani edhe në këtë periudhë po i trajtojmë me kujdesin më të madh të gjitha ankesat e qytetarëve dhe shpresojmë në mirëkuptimin e tyre dhe adresimin e menjëhershëm te ne të çdo shqetësimi që ata e kanë lidhur me shërbimet tona.

Njëkohësisht, është e qartë se fushatat joparimore dhe të porositura për interesa të caktuara, çfarëdo qofshin ato, nuk do të arrijnë të zhvendosin fokusin tonë nga rimëkëmbja e Telekomit të Kosovës, përmes një projekti gjithëpërfshirës të ristrukturimit dhe investimeve i cili tashmë është në fazën e implementimit. Efektet e këtij procesi do të vërehen qysh në muajt e ardhshëm.

Për me tepër, me qytetarët/konsumatorët tanë, në shërbim të të cilëve jemi 24/7, edhe përkundër këtyre fushatave dramatike të cilat sheshit e favorizojnë konkurrencën, do të ruajmë marrëdhënien e besimit të ndërsjellë të cilën e krijuam përgjatë vështirësive të cilat i kaluam bashkë, e që erdhën si pasojë e një menaxhimi të keq, mos investimi të gjatë në teknologji dhe mirëmbajtje të platformave si dhe abuzimit me pronën publike në të kaluarën e afërt.

Duke i falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin, ne shprehim bindjen se vetëm falë tyre, besnikërisë dhe mirëkuptimit të tyre, Telekomi i Kosovës do të mund të rimëkëmbet dhe do t’u kthehet atyre përmes shërbimeve që ata i kërkojnë dhe meritojnë.

Të ngjashme