Gjithmonë bën vapë më 4 korrik në kryeqytetin e Amerikës, por temperaturat e këtij viti janë të jashtëzakonshme.
Nxehtësia dhe lagështia e madhe kanë detyruar anulimin e paradave të Ditës së Pavarësisë si në Uashington ashtu edhe në Filadelfia, ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë në vitin 1776.
Në Sheshin Kombëtar të Uashingtonit, organizatorët kanë vonuar hapjen e portave të hyrjes për publikun për të zvogëluar kohën që njerëzit kalojnë duke pritur në mot të keq para festimeve të mbrëmjes, shkruan BBC.
Pavarësisht kushteve, Presidenti Trump e ka promovuar ngjarjen si një “tubim spektakolar” dhe madje ka bërë shaka se do të mbajë një “fjalim vërtet të gjatë” për të provuar se mund të “bëjë çdo gjë” gjatë valës së të nxehtit.
Por presidenti është akuzuar nga kundërshtarët e tij për politizimin e festimeve të përvjetorit.
Duke folur mbrëmë në Memorialin Kombëtar të Malit Rushmore në Dakotën e Jugut, ai paralajmëroi për atë që e quajti një ringjallje të “kërcënimit komunist” dhe kritikoi “të sapoardhurit”, të cilët, sipas tij, përqafuan ide që kundërshtojnë mënyrën amerikane të jetesës.