Temperaturat rekord të ulëta të vorbullave polare që kanë mbizotëruar gjatë kësaj periudhe kohore të vitit, mund të çojnë në shkatërrimin e shtresës së ozonit mbi rajonet polare.
Në fillim të janarit të këtij viti, janë bërë matje në shtresat e mesme të stratosferës, 50-55 kilometër mbi sipërfaqen e Tokës. Këto matje mbi kryeqytetin islandez Reikjavik kanë treguar temperaturën më të ulët në stratosferë gjatë 40 vjetëve të fundit, pasi që merkuri në termometër ka zbritur në minus 96 gradë Celsius.
Kjo e dhënë ka shfaqur paqëndrueshmërinë e vorbullës polare në stratosferë.
Disa javë më vonë, u arrit një rekord i ri i temperaturës së ulët, por këtë herë në shtresat e ulëta të stratosferës, midis 18 dhe 20 kilometër në lartësi.
Një studim i kryer në Svalbard, një arkipelag i vendosur në Oqeanin Arktik, ka treguar se temperaturat kanë rënë në minus 85 gradë Celsius në shtresat e poshtme të stratosferës. Meqenëse testet u kryen në qeliza jashtë qendrës së vorbullës polare, temperatura mbi Polin Verior në vetvete është sigurisht edhe më e ulët. Analizat kanë ofruar indikacione për temperaturë jashtëzakonisht të ulët në epiqendër të vorbullës, që nuk është fort e zakonshme për këtë kohë të vitit.
Cili është kërcënimi i reve polare?
Sipas matjeve të Agjencisë hapësinore amerikane NASA, temperatura e regjistruar është më e ulëta në 40 vjetët e fundit për këtë periudhë kohore në hemisferën veriore. Kjo gjendje bën që retë polare të formohen në stratosferë, të cilat formohen pikërisht në pjesët e saj më të ftohta, ku temperatura zbret deri nën minus 85 gradë Celsius. Këto re janë më pak të zakonshme se drita polare. Kushtet e ftohta që mbështesin formimin e këtyre reve stratosferike vazhdojnë deri në shtator dhe tetor mbi Antarktidë, kur rrezet e diellit prodhojnë një proces fotokimik që kontribuon në shkatërrimin e shtresës së ozonit.