Besimi në sistemin politik dhe angazhimi në kërkim të së mirës së përbashkët brenda standardeve demokratike, janë vlerat për të cilat ky vend ka më së shumti nevojë. Qytetaria çmon lidershipin demokratik si në pozitë ashtu edhe opozitë.
Ka muaj që në Kosovë, skenën politike të saj po e përcjellë tendenca që përmes metodave jodemokratike të arrihet një balancim i konkurrencës me detyrim. U krijuan sajesa të ndryshme apo u tentua që përmes të vërtetave të pjesshme, por pa reflektime përfundimtare të arrihet fillimisht tek ky balancim e më pas edhe të dominohet konkurrenca politike. Etja e tillë për pushtet nuk po kursen asgjë, madje as partnerët tanë kryesor ndërkombëtar, sikur edhe ata në sytë e tyre të shihen pengesë në realizim të synimeve jodemokratike.
Sot, politika në Kosovë ka humbur tërësisht arsyen e veprimit. Opozita patjetër dhe në çdo formë e dëshiron fitoren dhe për të vlen veç një parim caku apo shkatërrimi i tërë sistemit. Opozita nuk është e kënaqur me atë që ka apo ka fituar në proces zgjedhor dhe mbase edhe frika se këta numra mund t’i humb në një proces të ardhshëm po synon që në këtë formë të ndryshoj gjendjen, duke harruar se kështu po cenon sistemin politik, lirinë e vendit e mbase edhe sovranitetin e tij. Dihet që Kosova apo pavarësia e saj e fituar, është një projekt sa vendor aq edhe ndërkombëtar. E tillë si është dallon nga vendet tjera dhe për këtë gjë e kemi pasur të qartë që nga bisedimet e Vjenës dhe derivati i tyre plani i Ahtisarit.
Ky ishte kompromisi. Dikush atëherë e kishte të qartë këtë gjë dhe mundohej të sqaronte opinionin për këtë dhe ftonte që në ato bisedime të nxirrej maksimalja, por ishte e kotë se nga të tjerët që sot bëjnë zhurmë konsiderohej si i marrë. Sot janë të kota reagimet, zhurma e dhuna. Republika e tretë mund të synohet vetëm nëse ne braktisim partnerët tanë strategjik si SHBA-në e Bashkimin Europian dhe ndoshta autorët e saj e gjejnë në rrugën drejt Rusisë apo Lindjes. Së paku jo në këtë fazë. Opozita duhet ta rimarrë vetën dhe t’i kthehet dialogut institucional dhe si grup apo edhe grupe të veçanta ta marrë atë që meriton dhe jep sistemi demokratik. Nuk ka rrugë tjetër Kosova veç normalizimit të marrëdhënieve me të gjitha shtetet në rajon për t’u përgatitur në integrimet evropiane. Edhe partitë politike me strukturat e tyre duhet të jenë të gatshme për të qenë pjesë e grupimeve politike evropiane. Nuk e di se si këto parti do ta gjejnë veten në këto grupime nëse me veprimet e tyre nuk respektojnë parimet bazë të demokracisë. Në Evropë jo, e diku tjetër ndoshta.
Metodat egolitariste për të nxjerrë të vërteta të pjesshme
Thonë që e vërteta dhe politika janë në marrëdhënie të këqija midis tyre. E vërteta e ngritur për dikë si sajesë e veprimeve në bazë të inateve a përfitimeve të mundshme, e nxjerrë nga metoda egolitariste të bindjes së vartësve ka dënim edhe më të madh politik, pasi krijon partizan të çështjes e fanatik të bindjeve, ku mendimi racional, diskutimi humb fuqinë. Është shumë normale që opozita në Kosovë të ketë diskurs tjetër politik nga opozita. Është shumë me dobi që ky diskurs politik të jetë një alternativë e re karshi ekzistueses që bënë pozita. Gjithsesi që në dobi të konsolidimit e zhvillimit të demokracisë në vend, ky diskurs të jetë i ngritur dhe argumentuar për të qenë bindës se vërtetë është një alternativë dëshmuese për shumicën e qytetarëve të vendit.
Sistemi demokratik nuk njeh formë tjetër të veprimit apo tentimit që vullnetet elektorale të uzurpohen duke përdorur e përsëritur të vërteta të pjesshme që bazë kanë më tepër veprimin inatçor sesa alternativën në funksion të bindjes së qytetarëve për të. Është e kuptueshme se vrapi për të zënë diçka në këtë dinamizëm të jetës por dhe politikës e shkatërron mendjen dhe shpirtin e synuesve. Vetëdija e ngritur e opozitës së sotme vërtetë ka kaluar nga një gjendje tjetër, kur mendonte se e kishte në dorë pushtetin dhe për pak çaste e humbi atë dhe këtu edhe fillon zemërimi e shqetësimi. Zemërimi i tepërt nuk krijon racionalitet e as që ngritë alternativë e diskurs por vetëm mllefosje për gjithçka që e rrethon.
Opozita aktuale duhet të lirohet nga zemërimi i ngritur me pozitën në kohën e pas përfundimit të zgjedhjeve, të njohur si bllokada institucionale. Lirimi nga ky zemërim i hap mundësi të reja veprimit dhe jo zhurmave të krijuara artificialisht, siç po ndodhë sot. Opozita sot vazhdon së trumbetuari në opinionin publik për mobilizim për ta “çkapur” shtetin nga pozita, por asnjëherë nuk ofroi se çfarë ajo do të bëj ndryshe e mbase shembujt tregojnë se nuk ka alternativë tjetër veç zëvendësimit të njerëzve e jo të politikës. Ta heqim filanin se është i afërt me pozitën, ta sjellim fistekun që e kemi tonin.
Shihe veprimin praktik në Prishtinë në kompaninë për pastrimin e mbeturinave, ku kjo opozitë donte ta largonte kryeshefin e kësaj kompanie për ta vendosur një militar të vetin aty e që është edhe familjar i një deputeteje(burri mbase). Me këtë veprim, por edhe të tjerë të ngjashëm dëshmohet se kjo nuk ka alternativë të “çkapjes së shtetit” por të kapjes së pushtetit për fat të keq jo përmes votës e bindjes tek qytetarët, por zhurmës së ardhur nga zemërimi nëpër fazën nëpër të cilën po kalon ajo. Mendoj që këtu mbaron edhe politika si koncept, këtu kundërshtitë nuk kapen për çështjet dhe diskutimet për to, por beteja bëhet për individët. Veprimet e tilla Kosovën jo që e çojnë përpara, por e lëndojnë dhe kthejnë prapa. Kjo më së miri përshkruhet me fjalën e urtë popullore: “Për inat të resë me vdekt djali”