Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i ka dhënë tender kompanisë ‘Gërguri SHPK’ për ngarkim dhe transport të qymyrit për qytetarë dhe biznese, ku gjatë vlerësimit të ofertës ka pasur konflikt interesi. Përveç konfliktit të interesit, kompania në fjalë ka qenë me çmim më të lartë ofertues, se një kompani tjetër që ka qenë dukshëm më e lirë.
Gazeta Metro mëson se KEK ka nënshkruar tashmë kontratë me kompaninë ‘Gërguri SHPK’, për ofertën ngarkim dhe transport të qymyrit për qytetarë dhe biznese.
Gjithashtu Metro mëson se me nënshkrimin e këtij tenderi ka pasur konflikt interesi, pasi që anëtarja e komisionit vlerësues Mirvete Gërguri është e afërt me shpërblyesin e kontratës, konkretisht ‘Gërguri SHPK’. Ajo është vajza e axhës së pronarit të kompanisë ‘Gërguri SHPK’.
Mirëpo siç shihet edhe në dokument, kompania ‘Gërguri SHPK’, nuk ka qenë kompania me çmimin më të ulët ofertues. Kompania me çmimin më të ulët ofertues ka qenë ‘VK Construction’.
‘Gërguri SHPK’, çmimin ofertues për transport të qymyrit për 1 kilometër e ka pasur 2,25 euro dhe për ngarkesë për 1 kamion qymyr e ka pasur 24,95, në total çmimi ofertues me TVSh, ka qenë 27,20 euro.
Ndërsa kompania me çmimin më të ulët ofertues por që nuk ka fituar tenderin ‘VK Construction’, ka pasur këto çmime. ‘VK Construction’ çmimin ofertues për transport të qymyrit për 1 kilometër e ka pasur 2,35 euro, ndërsa për ngarkesë për 1 kamion qymyr e ka pasur 23,7 euro, ku në total çmimi ofertues me TVSh, ka qenë 26,075 euro.
Kompania ‘VK Construction’ ka hapur rast në Polici në lidhje me këtë tenderë, si dhe është ankuar në KEK.
Në ankesën e tyre thuhet se ata janë kompania me çmimin më të lirë të ofruar. Gjithashtu ata në ankesë kanë thënë se bazohen në atë që gjatë vlerësimit ka pasur konflikt interesi, pikërisht se njëra nga anëtaret e komisionit, Mirvete Gërguri, është e afërt me shpërblyesin e kontratës.
Sipas kompanisë ‘VK Construction’, kompania ‘Gërguri SHPK’, kontratën e tenderit të fituar e kanë nënshkruar në teren dhe jo në zyre. Sipas tyre nga KEK’u kanë shkuar tek ta në terren dhe kanë proceduar me nënshkrimin e kontratës, si dhe të njëjtit janë thirrur që të shikojnë vendin se ku do të mihin qymyrin.
Vlen të cekët që në ueb-faqen e KEK, ende nuk është publikuar se cila është kompania fituese e tenderit.
Tenderi në fjalë ka qenë i hapur deri më datë 18.10.2022, në ora 13:00. Ndërkaq sipas ‘VK Construction’ fituesi i tenderit është shpallur dje me datë 19.10.2022, vetëm se ende nuk është bërë publike.