Punëtorë të shoqërisë aksionare “Autotransporti”, që kanë bërë transportin e punëtorëve të KEK-ut për mbi 60 vite, kanë protestuar para qeverisë duke thënë se 94 punëtorë nga 1 tetori janë larguar nga puna.
Esma Islami nga kjo shoqëri, tha se KEK-u përmes një procesi tenderues ka zgjedhur kompaninë tjetër “Vëllezërit Thaçi” për të bërë transportin e punëtorëve, duke lënë kështu punëtoret e tyre pa punë.
Esma u shpreh e se që nga viti 1956 kur është themeluar kjo shoqëri aksionare dhe e cila ka qenë pjesë integrale e KEK-ut, në kontinuitet ka bërë në mënyrë të suksesshme dhe të sigurt bartjen e punëtorëve të kësaj korporate.
“KEK-u nuk shfrytëzoi rastin për rimëkëmbjen e këtij subjekti dhe për habinë tonë ndonëse në këtë gjendje të katandisur me një vendim arbitrar, dhunshëm na nxori jashtë KEK-ut, duke na privuar nga e drejta në asete të paluajtshme të cilat nuk erdhën nga qielli, por ishin krijuar me mundim dhe djersën e punëtorëve dhe kështu na shndërroi në qiragjinjë në shtëpinë tonë”.
“Kanë kontraktuar kompaninë e vëllezërve Thaçi së bashku me Arianin të cilët nuk kanë autobusë të mjaftueshëm për bartjen e punëtorëve të KEK-ut, por ata kanë kontraktu shumë kompani tjera të cilat i kanë bërë bashkë, të cilat s’kanë përvojë në këtë lëmi dhe kanë marrë punën në atë mënyrë”
Ejup Reka, drejtor i “Autotransportit”, tha se po protestojnë për të shprehur mllefin e tyre dhe për të mbrojtur të drejtën e punës, e cila sipas tij, u është mohuar padrejtësisht përmes procedurave dhe tenderëve të manipuluar.
“Kjo faktohet nga tenderi i fundit i cili në mënyrën më të papërgjegjshme dhe kriteret tejet të ulëta, në këtë garë përparësi ekskluzive u është dhënë firmave jolojale të cilat nuk dhanë asnjë cent për shtetin apo shoqërinë”.
“Prej vitit 2006 jeni në raporte kontraktuale me KEK-un dhe kemi kryer bartjen e punëtorëve të KEK-ut. Tash prej 1 tetorit jemi të papunë. I kemi 50 autobusë në qarkullim. Ne nuk jemi kundër kompanisë që e ka fituar tenderin por këtë nuk e kemi merituar pasi nuk kemi lënë pa e paguar asnjë kontribut ose tatim”.
Ish-punëtori, Fatmir Haziri, tha se me këtë pagë ka mbajtur gjashtë anëtarë të familjes, derisa u ka bërë thirrje qeverisë dhe KEK-ut, që t’i ktheje në punë.
“Kanë bërë shkelje ligjore, unë jam baba i tre fëmijëve, gjashtë anëtarë i kam mbajtur me këtë rrogë. E kisha lutur KEK-un, Qeverinë dhe Toskanën le të punojnë në mënyrë ligjore. Mo, mo bre KEK mos i shkel të drejtat e punëtorëve. Edhe ne kemi qenë punëtorë të KEK-ut, çka është bërë sot nuk po mund ta marrë me mend”.
Rafet Babatinca, shofer, tha se tre kolegë të tyre kanë kaluar në gjendje kome kur kanë kuptuar lajmin për largimin e tyre.
“Ali Shabani, Xhafer Sogojeva dhe Hamdi Merlaku, të tre janë në gjendje kome. Kolegu që foli para meje ka dy fëmijë me të meta, trauma dhe nuk ka kurrëfar të ardhurash personale. Ju lus, nuk po kërkojmë lëmoshë prej askujt vetëm të punojnë sipas ligjit, tjetër gjë nuk po duam”.
Muharrem Gashi, kryetar se Sindikatës së Termocentralit B, kishte dal për t’i mbështetur punëtorët në kërkesën e tyre.
“Jam ardhur për t’i përkrahur këta punëtorë të cilët na kanë bartur më shumë se 30 vjet. Telashe me këta nuk kemi pasur kurrë. Kisha lutur KEK-un dhe Qeverinë që këta 94 punëtorë mos t’i lënë rrugëve. 94 familje sot me i lënë pa bukë është vështirësi”.
Ai ka kërkuar që të zhvillohen hetime për këtë rast dhe të dal para drejtësisë kushdo që i ka sjellë këta punëtorë në këtë gjendje.