Politikania e njohur, njëherësh ish-deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj një deklarate të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sulmoi ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për deklaratat e këtij të fundit që tha se është kundër shkëmbimit të territorit Kosovë-Serbi.
Thaçi, duke iu kundërpërgjigjur Berishës, tha se “këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”.
Ndërkaq, Tërmkolli, përmes një reagimi dërguar mediave, me titullin “Gjarpri ‘në përqafim’ të Rugovës, për të ‘therur’ Sali Berishën”, ka thënë se Presidenti Thaçi ka lëshuar “edhe një gënjeshtër ‘historike’” duke përdorur Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për të sulmuar Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, i cili, sipas saj, ka reaguar “si çdo shqiptar kundër pretendimeve për ndarje të Kosovës dhe gjëja bashkim me Preshevën”.
“Presidenti Thaçi gënjen opinionin e painformuar (sepse pjesa më e madhe e di të vërtetën), kur thotë se Presidenti Rugova nuk paska lejuar që Sali Berisha ‘të shkelë tokën e Kosovës’, d.m.th. nuk paska lejuar që Sali Berisha ta vizitojë Kosovën. Sa për të kthjellur memorien, duhet thënë se ishte pikërisht Hashim Thaçi, bashkë me [Fatos] Nanon dhe të gjithë kreatorët e ‘revolucionit të vonuar demokratik’, ata të cilët paralajmëruan trazira në Kosovë në rast të vizitës së Sali Berishës, gjë e cila e detyroi UNMIK-un të anulonte këtë vizitë”, ka theksuar Tërmkolli, raporton Koha.net.
Sipas saj, edhe sot është e njëjta situatë dhe i njëjti qëllim nga presidenti Thaçi – “ta përdorësh Presidentin Rugova kundër Sali Berishës (me gjithë mosmarrëveshjet e herë pas hershme të tyre), është përpjekje për nxitje të shqiptarëve kundër njëri-tjetrit, ashtu siç është vepruar historikisht për interesa të Serbisë”.
“Në fakt është edhe përpjekje për të shuar çdo lloj kundërshtimi (sidomos nëse vjen nga Sali Berisha), për copëtim të mëtejmë të tokave shqiptare të cilave u janë turrur këta yryshgjinjë sikur të ishin toka të lëna shkret. Për fat të mirë, shqiptarët kanë bërë nga një grimë shkollë dhe kanë një grimë atdhetarie sa për të kuptuar kush dhe pse po përpiqet t’i helmojë”, deklaroi në fund të reagimit të saj, ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se është kundër idesë së shkëmbimit apo ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi.