Klubet për poezi, film, vallëzim salsa, punëdore e shumë të tjera, do të vazhdojnë të jenë pjesë e aktivitetit të qendrës sociale “Termokiss” edhe për vitin 2019. Qendra do t’i zgjerojë edhe më aktivitetet që ka në plan t’i realizojë për sivjet. Ato do të jenë falas për ata që do të shprehin interesim të bashkohen.
Ndryshe nga vitet e kaluara kur aktivitetet e “Termokissit” dokumentoheshin nëpërmjet fotografive dhe postimeve në rrjetin social Facebook, sekuenca të tyre, sivjet do të publikohen në platformën “TermoTV”, në kuadër të së cilës do të xhirohen pjesë të aktiviteteve dhe do të shfaqen në formë të videostorieve.
Edonis Hashani, administrator në “Termokiss”, ka thënë se ndër kurset e reja që do t’i shtohen sivjet qendrës, është ai për punëdore, që pritet të fillojë nga data 27 e muajit prill. Sipas tij, investimi më i veçantë në infrastrukturë të qendrës, do të jetë krijimi i një hapësire të përbashkët për aktivitete që do të përmbajë mjete pune dhe hapësirë për të lexuar e studiuar. Kjo për shkak se në katin e dytë të “Termokissit” ndodhet edhe biblioteka, e cila po mbushet me libra që njerëzit i dhurojnë vullnetarisht.
Klubi i vallëzimit salsa, në kuadër të së cilit mësime falas jep Atdhe Buzhala, mbledh të interesuarit çdo të enjte mbrëma.