“Termokos” korrigjon deklaratat e Shpend Ahmetit

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Gjatë një interviste në emisionin e mbrëmshëm “Puls” të KTV-së kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se ka pasur vonesa në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes nga “Termokos”-i.

Kjo deklaratë, sipas NP “Termokos” Sh.A, është e pasaktë, sepse me planin dinamik për realizimin e fazës së tretë të Projektit të kogjenerimit, që ka të bëjë me zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, zgjerimi ka qenë i planifikuar dhe do të realizohet gjatë vitit 2017-2018.

“Termokos” po ashtu thekson se edhe sa i përket deklaratës së Ahmetit se çmimi i tarifave të ngrohjes “nga 1 euro sa ka qenë vitin e kaluar është liruar në 77 cent”, edhe ky konstatim është i pasaktë.

Në fakt, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) si autoritet kompetent për përcaktimin e tarifave të ngrohjes, më 14.10.2016 ka aprovuar tarifat e reja të energjisë termike. Në bazë të vendimit të ZRRE-së, tarifat e ngrohjes për subjektet banesore nga 0.84 euro për metër katror kanë pësuar një zbritje prej 7 për qind, dhe që nga ky sezon ngrohës do të jenë 0.78 euro për metër katror.

Ndërkaq, tarifat e ngrohjes për subjektet afariste dhe institucione prej 1 euro për metër katror janë zbritur 3 për qind, pra nga ky sezon ngrohës do të aplikohet tarifa e re nga 0.97 euro për metër katror. Kjo i bie, që në total tarifat e ngrohjes janë zbritur për 5 për qind, e jo 23 për qind ashtu siç i ka përllogaritur Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme