Termokos: Projekti për dyfishimin e kapaciteteve me ndikim të shumëfishtë për prishtinasit

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të ministres së Ministrisë së Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, dje, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z. Fisnik Osmani, ka marrë pjesë në një takim, ku u diksutua për modalitetet e realizimit të Projektit për dyfishimin e kapaciteteve termike të kogjenerimit.

Realizimi i këtij projekti është vlerësuar si shumë i domosdoshëm për faktin se do të mundësojë dyfishimin e kapaciteteve termike të NP “Termokos” nga 140 MWth sa janë aktualisht në 280 MWth, gjë që përveç sigurimit të ngrohjes së mjaftueshme dhe cilësore për miijëra prishtinas, do të ndikojë edhe në uljen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike për ngrohje, si rrjedhojë edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj, kryetari i Komunës së Obliqit, z. Xhafer Gashi, përfaqësues të KEK-ut dhe ministrive tjera të Qeverisë së Kosovës.

Duke ditur rëndësinë e realizimit të këtij projekti, përfaqësuesit institucional të nivelit lokal, qendror, ekspertë dhe gjithë akterët tjerë, e në veçanti ndërmarrjet kyçe për realizimin e këtij projekti kapital, NP “Termokos”dhe KEK, janë zotuar për bashkërendimin e aktiviteteve në funksion të realizimit të projektit.

Me realizimin Projektit për dyfishimin e kapaciteteve termike, për të cilin tashmë është siguruar përkrahja nga donatorët ndërkombëtar, përkatësisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Banka Evropiane për Investime (BEI), NP “Termokos” do të ketë mundësi që nga KEK-u, në vend të 140 MWth sa merr aktualisht të përfitojë dyfishim të kapacitetit termik në 280 MWth, gjë që do të krijojë mundësi të reja për zgjerimin e mëtutjeshëm të rrjetit të ngrohjes.

Të ngjashme