Termokosi i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për sezonin e ri të ngrohjes. Zyrtarë të kësaj kompanie thonë se ngrohtorja ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar ngrohje kualitative për qytetarët e Prishtinës.
Kështu u shpreh për Radio Kosovën, zëdhënësja e Termokosit Afërdita Uka. Sipas saj, rreth 13 mijë konsumatorë, sa janë të kyçur në rrjet, do të kenë ngrohje të mjaftueshme për këtë vit.
Ngrohtorja e qytetit “Termokos”, i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e ngrohjes ashtu siç është e paraparë, me 15 tetor.
Zëdhënsja Afërdita Uka, tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për një furnizim cilësor për konsumatorët.
“Deri me tani kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë të sezonit ngrohës. Presim një furnizim sa më kualitativ dhe sa më cilësor për të gjithë konsumatorët tanë”, tha Uka.
Ndërsa sa i përket kyçjeve të reja, Uka thotë se këtë vit janë kyçur vetëm disa ndërtesa të institucioneve shtetërore, ndërsa në pranverë të vitit të ardhshëm do të fillojnë me kyçje edhe të ndërtesave kolektive.
“Shumë shpejt pritet që në bashkëpunim me Komisionin Evropian të bëhet publikimi i emrit të kompanisë që do të punojë për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, por këto punime pritet të fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm. Këtë vit zgjerim të rrjetit për ngrohje qendrore kemi pasur vetëm tek institucionet shtetërore”, tha ajo.
Termokosi është furnizues me ngrohje qendrore për Komunën e Prishtinës, ndërsa sezoni ngrohës fillon me 15 tetor dhe mbaron me 15 prill të vitit vijues.