Me rastin e Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka dërguar telegram urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit, me rastin e festës së Krishtlindjes.
“Me rastin e festës së Kërshëndellave, me respekt ju uroj e përgëzoj Juve, të gjithë meshtarët tuaj, si dhe besimtarët e krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Kërshëndellat në vete simbolizojnë lindjen, jetën, mbarësinë dhe mesazhin për një shoqëri të ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë”, ka thënë mes tjerash Tërnava.
“Zotni Ipeshkëv, festat fetare tek ne gjithherë kanë kultivuar vlera e virtyte humane, hyjnore e sociokulturore, të cilat që na kanë bashkuar e fisnikëruar si dhe kanë kultivuar, promovuar e reflektuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, tolerancën, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë. Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, ka përfunduar Tërnava.