Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë, konsiderohet të jenë sfidë për shtetin e Kosovës në proceset drejt Bashkimit Evropian (BE). Kështu u tha në tryezën me temë konferencën me temë “Financimi i Terrorizmit dhe Shpëlarja e Parasë”, të organizuar nga Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimet Penale (ICITAP) dhe Zyra Tejoqeanike për Trajnim, Asistencë dhe Zhvillim Prokurorial (OPDAT) në Kosovë, në kuadër të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.
Aty u theksua se institucionet e sigurisë në vend kanë treguar që është bërë progres për luftimin dhe parandalimin e këtyre dukurive, por u cilësua se terrorizmi dhe shpëlarja e parasë ka përfshirë globin, raporton Ekonomia Online.
Steve Banks, ushtrues detyre i zëvendësshefit të misionit në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ka thënë se terrorizmi kushton dhe gjithashtu kjo u mundëson terroristëve të kryejnë vepra të këqija.
“Kosova po vazhdon ta luftojë këtë dukuri. Unë jam i vetëdijshëm që kjo dukuri për pastrimin e parave është një çështje me rëndësi dhe se ne kemi një mundësi që t’i identifikojmë të gjitha këto çështje. Të gjithë së bashku të punojmë dhe t’i luftojmë këto dukuri, ShBA-ja do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, është shprehur se lufta kundër terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar janë rrugë drejtë BE-së.
“As vendi ynë nuk qëndruar imun ndaj kësaj sfide të sigurisë që ka kapluar tërë globin. Lufta kundër terrorizmit nuk duhet të kuptohet si përgjegjësi e vetëm një institucioni, por bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve të sigurisë është i nevojshëm. Duke parë që lufta kundër terrorizmit dhe financimit të tij paraqet nevojën për të luftuar këtë të keqe të përbashkët”, ka thënë Lumezi.
Se sa i rëndësishëm është parandalimi i financimi i terrorizmit dhe sa është prezent në Kosovë, ka folur edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovë, Blerim Isufaj.
Ai ka thënë që fatkeqësisht këto dukuri janë prezent edhe në Kosovë.
“Mes një koordinimi të mirë të Policisë dhe Prokurorisë këto dukuri janë parandaluar. Sistemi prokurorial ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve për përvetësim e praktikave me efikasitet për parandalim të këtyre dukurive”, ka thënë Isufaj.
Fehmi Hoti, përfaqësues i Policisë ka thënë se Kosova ka ndërmarr disa hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës ligjore për parandalimin e këtyre dukurive.
“Policia ka formuar njësitet e saj të specializuara që punojnë në parandalimin e financimit dhe parandalimin e terrorizmit. Nga 2013-ta Policia ka trajtuar 300 persona dhe në kuadër të kësaj ka edhe persona që kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit”, ka thënë ai.
Dardan Nuhiu nga Drejtoria e Njësitit të Inteligjencës Financiare ka thënë se kjo dukuri në vendin tonë mbetet sfidë.
“Sikurse sektori privat ashtu edhe ai publik duhet të bëjnë parandalimin e pastrimit të parave. Për të identifikuar rrezikun kemi bërë përpjekje për të plotësuar kushtet për anëtarësim. Ne IFK-ja do të bëjmë të pamundurën që të kemi progres njësoj sikurse në vitin 2016 që ka pasur ngritje të transaksioneve të dyshimta prej 1.9%”, ka thënë ai.