Tetë doganierë e një polic të arrestuar në veri për korrupsion e keqpërdorim të pozitës

Prishtinë | 18 Nën 2023 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Doganën e Kosovës, dhe mekanizmat relevantë, është zhvilluar një aksion për kontroll në njëmbëdhjetë lokacione, i cili është mbështetur nga Policia e Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë (9) zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Marrja e ryshfetit”.

Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor.

Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen.

Po ashtu, nga ky aksion janë sekuestruar sende tjera të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore si:

Njëzet (20) plomba zyrtare të Doganës së Kosovës

Dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela

Një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje

Gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jo zyrtar.

Të ngjashme