Gjatë ndërrimit të viteve, Policia e Kosovës njofton për 8 raste të plagosjeve e dëmtimeve nga plumbat qorr.
Në rast ka ndodhur menjëherë pas ndërrimit të vitit, nga 2019-a në 2020-n. Rasti ka ndodhur në rrugën “Bistrica Ilire” në Prishtinë.
“Raportohet se viktima mashkull K-Shqiptar derisa ishte në oborrin e shtëpisë është goditur nga një plumb qorr. Viktima është dërguar ne QKUK dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në raportin e sotëm të PK-së, transmeton Koha.net.
Një tjetër rast ka ndodhur në Podujevë në fshatin Sfeqël. Por në këtë rast, dëmtime materiale ka marrë vetura e një personi.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se vetura e tij është goditur nga një plumb qorr. Në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë. Nuk raportohet për lëndime në njerëz ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Po ashtu një rast në Fushë Kosovë, nga plumbi qorr është dëmtuar një veturë. Rasti ka ndodhur në rrugën “Mehmet Behluli”.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një ‘plumb qorr’ është goditur vetura e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Në tjetër rast ka ndodhur në parkingun e spitalit rajonal në Gjilan.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një plumb qorr është goditur vetura e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e sotëm të PK-së.
Policia, njofton edhe për një rast në rrugën “Malësia nr. 41” në Gjilan.
“Ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se në rrethana të panjohura nga plumbi i është dëmtuar dritarja e shtëpisë së tij ndërsa para hyrjes së oborrit janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja. Nuk raportohet për lëndime në njerëz ndërsa rasti mbetet të hetohet”, thotë policia.
Edhe tri raste të dëmtimit të veturave kanë ndodhur në Ferizaj, Prizren e Gjakovë.
“Në rrugën “Hasan Budakova” në Ferizaj, ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një ‘plumb qorr’ është goditur vetura e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet. Në fshatin Serbicë e Ultë në Prizren ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një ‘plumb qorr’ është goditur vetura e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet. Ndërsa, në rrugën “Londra në Gjakovë, ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se nga një ‘plumb qorr’ është goditur vetura e tij. Nuk raportohet për të lënduar ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, përfundon raporti.