Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur një grup të përfaqësuesve të “Atlantic Council” nga Washingtoni, të kryesuar nga Damon Wilson dhe Sarah Bedenbaugh.
Presidenti Thaçi i informoi ata për sukseset në reformat politike dhe ekonomike në vend, si dhe për konsolidimin e rendit dhe ligjit.
Me përfaqësuesit e “Atlantic Council”, presidenti Thaçi bisedoi edhe për rolin konstruktiv të Kosovës në rajon dhe për raportet e mira ndërfqinjësore që tashmë janë ndërtuar.
“Dialogu me Serbinë i ka sfidat e veta, por ne kemi edhe të arritura prej tij”, u shpreh presidenti Thaçi.
Delegacioni i “Atlantic Council” u pajtua që kapitulli i Ballkanit Perëndimor nuk është mbyllur ende.
Sipas tyre, pa anëtarësim të plotë në BE nuk mbyllet ky kapitull, prandaj duhet pasur një angazhim strategjik nga të gjitha palët.
Presidenti Thaçi theksoi se marrëdhëniet speciale që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thelbësore për paqen dhe sigurinë në rajon.
“Garancë e këtij stabiliteti është anëtarësimi i tërë rajonit në NATO dhe BE”, shtoi presidenti Thaçi.