Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të përmbyllet më 1 shtator. Pas ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, Thaçi tha se “do të lëvizim me hapa të sigurt me liberalizim të vizave”.
Këto komente, presidenti Thaçi i bëri pas takimit lamtumirës me shefin e deritashëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.
“Unë jam i bindur që Kosova do të lëvizë me hapa të sigurt në të ardhmen e afërt sa i përket momentit për liberalizim të vizave. Dua të shpresoj fuqishëm se do të përmbyllet edhe kriteri shtesë që është çështja e demarkacionit për liberalizimin e vizave, që do të ndodhë votimi në Kuvendin e Kosovës nga deputetët me një shtator për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi”, tha Thaçi, për gazetarët.
Ai theksoi se roli i BE-së në Kosovë është i pazëvendësueshëm.
Ndërsa, Zhbogar, i në fund të muajit e lë Kosovën, tha se normalizimi dhe ndryshimi po ndodhë në Kosovë.
“Çfarë është me rëndësi është se ndryshimet po shkojnë në kahe pozitive, në rrugë të drejtë”, tha Zhbogar.