Thaçi e Haradinaj s’raportojnë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, përplasen deputetët

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 09:25 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë shkuar për raportim në komision në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq, raporton Ekonomia Online.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka ftuar të dy të japin sqarime sa çka kishte ndodhur me 29 mars. Për intervistim është ftuar edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme Lulzim Ejupi.

Kjo mbledhje nuk u mbajt fare pasi që deputetet ranë në kundërshtim me njëri-tjetrin për shkak të rendit të ditës, pasi që disa kërkuan të largohej intervistimi i Thaçit dhe Haradinajt dhe të tjerët e kundërshtuan.

Gabimete Musliu nga PDK-ja në fillim të mbledhjes propozoi që të hiqet presidenti dhe kryeministri nga rendi i ditës për shkak të mosmundësisë së pjesëmarrjes në këtë komision.

“Propozoj ndryshim të rendit të ditës të hiqet kryeministri dhe presidenti pasi që janë në vizitë jashtë vendit, kryeministri në Pejë ndërsa presidenti në Ëashington”.

Por ky propozim u kundërshtua nga deputetë të opozitës, çka krijoi edhe përplasje mes tyre. Deputetët Driton Selmanaj, Xhelal Sveçla, Anton Çuni dhe Sami Kurteshi nuk e mundësuan miratimin e propozimit të Musliut.

Kryetari i komisionit Xhela Sveçla tha se ftesat kanë qenë të dërguara me kohë.

“Ftesat janë dërguar me kohë, Haradinaj na ka kthyer përgjigje që nuk mundet, por presidenti nuk na ka kthyer përgjigje”.

Muharrem Nitaj nga AAK tha se komisioni është dashur të dijë që prezenca e Haradinajt dhe Thaçit sot nuk do ishte e mundur pasi që ka pas kohë që këto agjenda kanë qenë të ditura.

“Nuk i kemi pasur parasysh se mund të mungojnë këta dy, mbledhja e qeverive ka qenë e caktuar para disa muajve por sekretaria nuk e ka dit, presidenti ka vendos para disa dite, nuk është dashur të jenë të dy këtë dit dhe të i heqim sot dhe të mbetet vetëm sekretari”

Driton Selmani nga LDK-ja nuk ishte i pajtimit të mosmiratohej ky rend i ditës, dhe ishte kundër propozimit të Musliut, pasi që sipas tij, Qeveria dhe presidenca në krahasim me këtë komision janë pushtete të ndara.

“E dimë që pushtetet janë të ndara, Qeveria dhe presidenti i kanë punët e veta, unë them të miratohen këtë rend dite dhe të i marrim përgjigje zyrtare të  tyre që na i kanë dërguar”.

Sipas Nitajt komisioni duhet t’i kërkoj falje kryeministrit për shkak të mbajtjes së kësaj mbledhje duke e pasur ende në rend dite intervistimin e tij kur ka pas kohë që ka qenë e ditur që kryeministri këtë ditë do të ishte në Pejë në mbledhjen e dy qeverive.

“Kryeministrit duhet ne të i kërkojmë falje që u caktuar sot ky intervistim kur mbledhja e dy qeverive ka qenë e vendosur javë më parë. E vërtetë pushtetet janë të ndara, por personi duhet të ftohet ditën kur ai ka mundësi dhe jo kur mbahen mbledhjet e këtilla”.

Hajdar Beqa nga PDK-ja tha se agjendat e tyre për këtë ditë ka qenë kudo nëpër media dhe është ditur që nuk do ishin këtu.

“Është e palogjikshme kur ne e kemi dit që këto agjenda kanë qenë shumë kohë më parë dhe të mos vijmë këtu sa për sy e faqe kinse po punojmë, duhet të hiqen nga rendi i ditë për të vazhduar me këto tjera pika”.

Nitaj tha se komisioni nuk është dashur fare ta ketë këtë rend dite dhe tani në media të dalin lajme se kryeministri Haradinaj nuk po merr pjesë në intervistim në komision, raporton EO.

Beqa e akuzoi Sveçlën se agjendën e dikujt tjetër po e kryen dhe vetëm të komisionit jo. Ai vazhdoi të akuzonte deputetët që vetëm po filozofojnë, kur sipas tij, fare nuk ishte dashur të ishte kjo pikë në rend dite.

Policia e Kosovës  pati arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.

Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

 

Të ngjashme