Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli para mediave pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti i vendit tha se me presidentin Tusk kanë diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE.
“ Patëm takim miqësor dhe diskutuam për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Në këtë aspekt shpalosëm përpjekjet tona për themelimin e reformave për agjendë evropiane. BE dhe rajoni i Balkanit Perëndimor duke përfshirë Kosovën nuk ka qenë më afër njëri-tjetrit se sot. Mendoj që të dy palët që BE dhe këto shtete i kanë kuptuar se bashkërisht mund të bëjmë shumë me shumë të realizojmë në praktikë atë që BE e ka riaktualizuar përsëri 15 vite më parë anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”.
Sipas presidenit Thaçi, Kosova ka një nevojë urgjente për të përshpejtuar hapat drejt BE-së, raporton Ekonomia Online.
“Kosova ka nevojë për konkretizim të përvojës evropiane që në një periudhë të shkurtër të marrin statusin kandidat për anëtarsim në BE. Ne do të japim kontributin tonë në agjendën e Samitit të Sofjes dhe do mbulojë energjinë, bashkëpunimin kulturor. Do adresojmë sfida të përbashkëta të sigurisë, terrorizmi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Presidenti Thaçi tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë një nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutohet në Berlin.
Gjatë prononcimit për media, ndër të tjera, presidenti Thaçi konfirmoi se do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Ky takim, sipas presidentit Thaçi, do të realizohet më 9 maj, raporton Ekonomia Online.
Ai gjithashtu bëri të ditur se gjatë bisedës me presidentin Tusk, i ka treguar që janë plotësuar kushtet e kërkuara nga BE dhe ka kërkuar përshpejtimin e këtij procesi.
“Diskutuam për liberalizimin e vizave, e njoftova presidentin Tusk që kemi plotësuar kushtet e kërkuara nga BE, dhe kërkova përshpejtimin e këtij procesi”.