Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një videomesazhi u është drejtuar qytetarëve duke u sqaruar atyre se së shpejti Kuvendi do të merr vendim për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Adresimi i Thaçit ka pasuar vizitën e nënpresidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë dhe porosive të tij për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thaçi ka thënë se në rrafshin politik dhe institucional, Kosova është në udhëkryq historik.
“Të marrë vendime jo të lehta, por të drejta, dhe të lëvizë shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike apo të vazhdoj me këtë pasivitet dhe vendnumërim, duke mbetur peng i të kaluarës së dhimbshme e duke penguar zhvillimin e të ardhmes së ndritur”, ka thënë presidenti Thaçi.
Një nga vendimet që Kosova duhet të merr në ditët në vijim, sipas presidentit është ratifikimi i Marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi.
“Çdo vonesë për ratifikimin nga Parlamenti i Kosovës e minon të ardhmen evropiane të Kosovës. I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytearët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen”, ka deklaruar Thaçi.
“Por, ky nuk është dëmi i vetëm”, ka theksuar Thaçi.
“Ky do të ishte vetëm dëmi i fillimit që do të pasojnë sepse nëse dështojmë në ratifikimin e marrëveshjes, atëherë do të vonohemi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet për një kohë të pacaktuar procesi i integrimit në NATO”, ka tërhequr vërejtjen presidenti i Kosovës.
Ai ka deklaruar tutje se askush në botë nuk do ta përkrahte Kosovën në acarimin e raporteve me vendin fqinj, Malin e Zi, i cili ka marr ftesë që të bëhet anëtar i NATO-s.
“Ne duhet të vazhdojmë raportin strategjik të fqinjësisë dhe vlerave euroatlantike me Malin e Zi. Ne nuk mund të korrigjojmë padrejtësitë historike tani, të cilat i dimë shumë mirë, por duhet ta sigurojmë të ardhmen euroatlantike”, ka thënë Thaçi.
Tutje ai ka paralajmëruar po ashtu se edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të implementohet.
“Kjo do të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka theksuar ai.
Këtë mesazh sa sensibilizues aq edhe paralajmërues për vendimet që do të merren ditëve në vijim, Thaçi e ka ndërlidhur me besimin që ka Kosova në miqtë e saj ndërkombëtar.
“Kemi pasur besim në këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prandaj firmosëm Rambujenë. Ishte vendim i vështirë, por historia e dëshmoi se ishte vendim i duhur. Kemi dëgjuar këshillën e aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë dhe kemi pranuar “Pakon e Ahtisaarit” dhe bëmë shumë mirë. Ashtu siguruam pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Historia, sipas tij, ka dëshmuar se këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ia kanë siguruar Kosovës lirinë dhe pavarësinë.
“Prandaj, edhe sot askush nuk guxon të vë në dyshim vullnetin e mirë, dashamirësinë dhe suksesin e këshillave të marra nga aleati ynë strategjik”, ka thënë presidenti Thaçi.
Të gjitha këto vendime, ka thënë në fund Thaçi, dëshmojnë se qëllimi dhe vizioni i Kosovës është që të jetë sa më shpejtë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, duke punuar që një ditë të bëhet edhe vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.
https://www.youtube.com/watch?v=Lb1R6dClz4k