Thaçi: Kosova nuk humb asnjë metër tokë, veproni të bashkuar për interesa të vendit

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 15:14 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të hënën se procesi i shënjimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj.

Ai kërkoi nga spektri politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale dhe të veprojnë të bashkuar për interesat e vendit.

Lexoni të plotë postimin e presidentit në Facebook:

“Sa më shumë që i afrohemi ditës kur Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ratifikojë shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër Kosova po dëshmon vendosmërinë për të ardhmen e saj euroatlantike. Faktet e reja dëshmojnë se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj. Këto fakte hedhin poshtë në tërësi kauzat e rreme të kundërshtarëve të këtij procesi të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar atë për interesa personale dhe përfitime politike.

Ky zhvillim i ri pozitiv ka bërë që të fuqizohet vullneti politik i pjesës dërrmuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. I gjithë opinioni publik dhe në veçanti deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kuptuar në mënyrë të drejtë rëndësinë e këtij vendimi, i cili i hap Kosovës perspektivë të sigurt euroatlantike dhe fuqizon subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Edhe një herë ftoj gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale. Të veprojmë sa më të bashkuar për interesat e vendit. Këtë e presin qytetarët e Kosovës, këtë e presin miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme