Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se të drejtat e komuniteteve në Kosovë respektohet duke filluar nga përfaqësimi dhe punësimi i tyre në Qeverinë e Kosovës dhe institucioneve të tjera si dhe atyre iu është garantuar arsimi i lartë.
Por ai tha se qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e rajonit e as mallrat. Këto probleme sipas tij, kosovarët mund t’i zgjidhin vetë siç ka bërë me komunitetet e nuk duhet ndërveprimi i ndërkombëtarëve, raporton Ekonomia Online.
“Liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, nëpër shtete e rajonit, ku qytetarët e Kosovës nuk mund të ushtojnë lirshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë. Poashtu mallrat nga Kosova nuk mund të transportohen në rajon, për të gjetur zgjidhje për këto nuk do duhej ndërveprimi ndërkombëtar, por do i largonim vetë këto probleme”.
Thaçi më tej ka thënë se Kosova është e përkushtuar edhe për dialogun me Serbinë dhe po ashtu në bashkëpunimin me të gjitha vendet fqinje.
Këto komente ai i bëri në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Komuniteteve jo shumicë, e cila organizohet nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentit, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, Stefano Gnocchi, këshilltar për çështje politike/komuniteteve nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se do ta fuqizojnë edhe më shumë organin për mbështetje të komuniteteve.
“Ne mbulojmë gjithë territorin dhe mbështesim të gjitha komunitetet. Ky organ për mbështetje është paraparë në kuadër të ligjit për të drejtat e njeriut, e kemi pa ndër vite si është zhvilluar, dhe është një objektiv e jona ta fuqizojmë si një organ funksional. Këshilli i nxjerr disa rekomandime: grup për gjuhën, për kulturën, ka grupe të punës për sfera te ndryshme, por një nga dobësitë, një fushë për përmirësim është se rekomandimet të merren më seriozisht nga ana e autoriteteve përkatëse qeveritare, nga ministritë që do duhej të bënin më shumë për rekomandimet që do të jepen nga Këshilli”.
Kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitetet, Gazmen Salijeviq, u shpreh se në Kosovë ka ligje që mbështesin të drejtat e komuniteteve, por ekzistojnë probleme dhe anomali, raporton EO.
“Kemi 5 grupe punuese në këshill përmes të cilave dëshirojmë të bëjmë adresimin dhe aprovimin te Qeveria. Kemi hapësira të mira sa i përket integrimit dhe bashkëjetesës, Kosova ka ligje të mira sipas standardeve evropiane por jemi të vetëdijshëm që edhe në Kosovë ekzistojnë anomali e probleme prandaj ne jemi këtu të zbatojmë këto ligje për të drejtat e komuniteteve”.