Opinionisti Jusuf Thaçi, në faqen e tij në Facebook¸ ka thënë se sot u provua të mashtrohet opinioni publik duke përmendur emrin e historianit Noel Malcolm si referencë.
Megjithëse nuk e ka përmendur me emër, reagimi i drejtohet profesorit Enver Hasani, i cili ka komentuar figurën e Xhafer Devës, ka thënë se ky i fundit ka shtyrë përpara agjendën naziste.
Thaçi tha se është pikërisht Malcolmi ai që qartëson se shqiptarët, pëfshirë edhe Xhafer Devën, po i përdornin rrethanat për të shpëtuar nga terrori serb, duke mos ju shërbyer ideologjive nazi-fashiste.
“Malkolmi në këtë kapitull në disa momente e qartëson që shqiptarët, përfshirë edhe Xhafer Devën, thjesht po i përdornin rrethanat dhe Fuqitë e Boshtit për të shpëtuar nga terrori serb dhe për ta avancuar interesin e tyre kombëtar, pa ju shërbyer në asnjë moment interesave të Fuqive të Boshtit apo ideologjive të tyre nazi-fashiste”, ka shkruar Thaçi.
Sot gjatë ditës, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Express ka përdorur Malcolmit si pikë reference, kur tentoi të argumentojë se Xhafer Deva ka shtyrë përpara agjendën naziste.
“Të gjithë autorët e huaj, që i zura në gojë (në mesin e tyre edhe Malcolm), thonë se Xhaver Deva dhe anëtarët e familjes Draga nga Mitrovica kanë qenë shërbëtorë të gjermanëve dhe, pa kompromis, e kanë shtyrë përpara agjendën naziste, duke i vrarë dhe përndjekur kundërshtarët e tyre”, ka thënë Hasani.
“Me qenë nga Kosova, me i thanë vetit intelektual e objektiv, e me të dalë rend e kohë me i kriminalizu shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore e me hitlerizu Xhafer Devën, pa i vendos brenda rrethanave e kontekstit të kohës, madje duke keqpërdorur emra të historianëve të ndershëm e objektiv, kurse në anën tjetër mos me të dalë rend as kohë me fol as edhe një fjalë për Kraljevinën e Drazha Mihajloviqin dhe terrorin e tyre të ushtruar ndaj shqiptarëve për dekada, kjo do me thënë që veç intelektual e objektiv nuk mundesh me qenë”, ka theksuar Thaçi.
POSTIMI I PLOTË:
Ka vdekë Tito! Manipulimi me shkencën nuk kalon!
Të shkolluarit në kohën e komunizmin është lehtë të dekonspirohen kur shtrembërojnë fakte e kur mashtrojnë të mveshur me petkun e intelektualit të rangut të lartë. Ata janë mësuar në komunizëm që fjala e tyre është autoriteti suprem e i pakontestueshëm, si dhe janë mësuar që burimet e informacionit me qenë të pakta e të kontrolluara vetëm nga ata, pa pasur qasje të tjerët. Ky ves i bëna ata të harrojnë që tashmë jetojmë në botën digjitale dhe informacioni e dija nuk është ekskluzivitet vetëm i “të përndriturve” e “të përzgjedhurve”. Ky ves i bëna ata të harrojnë që tashmë brenda ditës mund të demaskohen kur shtrembërojnë fakte e kur mashtrojnë.
Si rezultat i këtij vesi, sot u keqpërdor emri i Noel Malkolmit (Malcolm), historianit më objektiv të historisë së Kosovës, dhe u provua të mashtrohet opinioni publik në Kosovë duke përdorur, përkatësisht keqpërdorur, emrin e tij.
Malkolmi në librin e tij “Kosova – një histori e shkurtër”, në kapitullin 15 “Kosova e pushtuar në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945”, kur flet për shqiptarët, përfshirë edhe Xhafer Devën, askund nuk përmend bindje të tyre nazi-fashiste, madje as veprime nazi-fashiste (përveç nëse intelektuali ynë e interpreton veprim nazi-fashist largimin e kolonëve serbo-malazezë që kishin ardhur në Kosovë gjatë Kraljevinës e më herët dhe kishin uzurpuar me dhunë tokat shqiptare, duke ushtruar terror të paparë mbi shqiptarët).
E kundërta është e vërtetë. Malkolmi në këtë kapitull në disa momente e qartëson që shqiptarët, përfshirë edhe Xhafer Devën, thjesht po i përdornin rrethanat dhe Fuqitë e Boshtit për të shpëtuar nga terrori serb dhe për ta avancuar interesin e tyre kombëtar, pa ju shërbyer në asnjë moment interesave të Fuqive të Boshtit apo ideologjive të tyre nazi-fashiste.
Ja disa fragmente (citime) nga libri i Malkolmit:
“S’duhet habitur pse përpjesëtimi i bashkëpunëtorëve në Kosovë ishte më i lartë, kur të kihet parasysh se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk kishin pasur kurrfarë besimi në regjimin e ish-Jugosllavisë, prandaj e kishte pritur pushtimin e forcave të Fuqive të Boshtit, së paku potencialisht, si një lloj çlirimi”.
“S’ka dyshim se bashkëpunimi ekzistonte në shumë nivele, por shtysa e këtij bashkëpunimi nuk ishte as simpatia ideologjike ndaj fashizmit apo nazizmit, as ndonjë interesim më i gjerë për synimet e Fuqive të Boshtit, por thjesht dëshira e shumë shqiptarëve që të shfrytëzonin rastin nga shthurja e Jugosllavisë, për të marrë më tepër pushtet në territorin e tyre dhe për të përmbysur politikën e kolonizimit sllav të dy dekadave të fundit”.
“Në ditët e para, pas kapitullimit të Italisë, para se të kristalizohej politika gjermane ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, një grup zyrtarësh dhe nëpunësish kryesorë shqiptarë të Kosovës (duke përfshirë Devën) kishte vendosur të formonte lëvizjen për organizimin e fushatës për bashkimin etnik. Pikësynimi i tyre kryesor ishte që të siguronin që Kosova dhe Shqipëria të mbeteshin të bashkuara, së bashku me rajonet e tjera që i ishin bashkuar Shqipërisë, më 1941”.
“Nga gjysma e shtatorit organizuan një miting të madh publik në Prizren, ku shpallën “Lidhjen e Dytë të Prizrenit”. U ngrit edhe një komitet ekzekutiv, kryesues i të cilit u zgjodh Rexhep Mitrovica dhe u hartuan statutet, qëllimi kryesor i të cilëve ishte: “Mbrojtja e trojeve të çliruara (nga Jugosllavia), si edhe e trojeve të tjera të ish-Jugosllavisë””.
Për fund.
Me qenë nga Kosova, me i thanë vetit intelektual e objektiv, e me të dalë rend e kohë me i kriminalizu shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore e me hitlerizu Xhafer Devën, pa i vendos brenda rrethanave e kontekstit të kohës, madje duke keqpërdorur emra të historianëve të ndershëm e objektiv, kurse në anën tjetër mos me të dalë rend as kohë me fol as edhe një fjalë për Kraljevinën e Drazha Mihajloviqin dhe terrorin e tyre të ushtruar ndaj shqiptarëve për dekada, kjo do me thënë që veç intelektual e objektiv nuk mundesh me qenë.