Thaçi: Kurti po vazhdon mashtrimet patriotike me vendime të gabueshme

Prishtinë | 31 Maj 2020 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit të fundit të Qverisë në detyrë për vendosjen e masave të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Qeveria në detyrë mbrëmë ka vendosur që asnjë maune nga Serbia të mos hyjë në Kosovë nëse në dokumente nuk shkruan Republika e Kosovës.

Një veprim i tillë nga presidenti Thaçi, po shihet si vazhdim i Kurtit me mashtrime patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme.

“Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, plotësim-ndryshimi i vendimit të mëhershëm për marrëdhëniet tregtare me Serbinë, nënkupton ndalimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka sqaruar pse është marrë vendimi për futjen e masave të reja në reciprocitetin ndaj Serbisë.

“Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke”, ka thënë Kurti.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke thënë se kjo është e papranueshëm për Serbinë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa nuk shfuqizohen. 

Të ngjashme