Thaçi lë këtë javë takim me liderët që deklarohen se nuk do t’i shkojnë

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 19:09 | Nga

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po planifikon gjatë javës një takim me liderët institucionalë e partiakë në rolin e kryenegociatorit në bisedimet me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar padi për shefin e shtetit.

Partia në opozitë do ta dërgojë në gjykatë presidentin për shkelje kushtetuese, sepse, sipas tyre, Thaçi e kidnapoi procesin e dialogut, raporton KTV.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se Hashim Thaçi është njeriu që po vrapon pas dialogut për të bërë koncesione e të shtyjë edhe pak Gjykatën Speciale.

Konjufca deklaron se partitë në Kuvend duhet të bëhen bashkë e t’i vënë vija të kuqe presidentit, atij që i hoqi vijat e kuqe për Serbinë.

Për të kundërshtuar çfarëdo tentimi për marrëveshje, Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta e demonstrata.

As LDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimit.

Në partinë më të madhe opozitare thonë se Hashim Thaçi nuk ka mandat për këtë çështje, madje kjo është edhe arsyeja pse nuk e thërrasin në Kuvend për raportim, sepse ai nuk e ka mandatin nga Kuvendi.

Shefi i deputetëve të LDK-së thotë se LDK-ja nuk do të protestojë në rrugë, porse do të ndjekin të gjithë hapat kushtetues e ligjorë.

Ndërkohë, Ahmet Isufi i AAK-së thotë se është i domosdoshëm një konsensus i gjerë politik.

Sipas tij, AAK-ja është e gatshme t’i përgjigjet interesit të vendit, por thotë se Kuvendi duhet ta ketë rolin kryesor.

Në një përgjigje për KTV-në, përveç që e ka konfirmuar takimin e liderëve, këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku, ka përsëritur domosdonë e përfshirjes të të gjitha partive politike në proces.

Ai ka thënë se nuk ka arsye që partitë opozitare t’i ikin një përgjegjësie të tillë në rast se vërtet janë të interesuara për të dhënë kontributin e tyre në këtë proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme