Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini me të cilin ka bashkëbiseduar për mundësinë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.
Presidenti Thaçi ka vlerësuar lartë mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës dhe kërkoi që të thellohet bashkëpunimi.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Të shikojmë mundësitë që të thellojmë bashkëpunimin edhe në ekonomi, siguri e arsim”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini është zotuar se Finlanda do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjitha fushat.
“Kosova është e përcaktuar për të ardhmen e vet euro-atlantike”, u shpreh Presidenti Thaçi duke shtuar se “Kosova sot është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon e më gjerë”.
Gjatë vizitës në Kosovë, Soini do ta takojë edhe kryeministrin Ramush Haradinajn, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollin dhe të tjerë, raporton Ekonomi Online.
Vizita në Kosovë është pjesë e turit në Ballkanin Perëndimor, ku ndër të tjera ai do ta vizitojë edhe Maqedoninë dhe Serbinë.