Thaçi nga Berlini: Kosova do të bashkohet me Luginën

Prishtinë | 29 Pri 2019 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Nuk ka dialog dhe negociata pa SHBA-në, Lugina është e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj kanë takuar bashkatdhetarët që jetojnë në Gjermani, në Berlin, të hënën para Samitit të Berlinit.

Haradinaj siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka vlerësuar lartë angazhimin e madh që diaspora kosovare e Gjermanisë ka luajtur në të gjitha proceset në të cilat ka kaluar Kosova.

Haradinaj tha se Gjermania ka ofruar trajtim dhe mikpritje për kosovarët në kohërat më të vështira sociale, ekonomike dhe të sigurisë.

“Andaj ju falënderoj ju dhe shtetit gjerman që po vazhdon të mbaj qëndrim konsistent, që të mos dëmtohet integriteti territorial dhe shtetësia e Kosovës. Vizita zyrtare në Berlin dhe ky takim është rast i mirë ta forcojmë lidhjen tonë bilaterale që e kemi Kosovë – Gjermani. Sfida dhe vështirësi kemi mjaft, por Kosova do të ecë përpara dhe besoj që edhe nga ky takim i sotëm do të dalim edhe më të konsoliduar si Kosovë, në planin rajonal dhe global”, tha ai.

Pas takimit me mërgatën, Haradinaj dhe Thaçi kanë folur për mediat, ku kanë thënë se nuk dinë të ketë ndonjë draft-marrëveshje ose dokument për takimin që do të mbahet pasdite me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Emanuel Macron, në kuadër të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka ndonjë draft ose dokument ose ndonjë marrëveshje as të dakorduar e as të informuar paraprakisht, por ajo çka është me rëndësi që e kemi thënë çdo herë, është se Kosova i ka qëndrimet e veta, besoj që edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq presidenti Hashim Thaçi, theksoi se nuk do të ketë dialog pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), derisa përsëriti qëndrimin e tij për bashkimin e Kosovës me Luginën.

“Nuk ka dialog dhe negociata pa SHBA-në, Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Preshevë, Medvegjë , Bujanovc krejt kanë me qenë një Kosovë, krejt mirë ka me u bë”, është shprehur Thaçi.

Ky i fundit gjithashtu në një status në profilin e tij në Facebook, tregoi se në një intervistë për një media gjermane ka theksuar nevojën e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Për ‘Der Spiegel’, para samitit të sotëm, fola për procesin e dialogut Kosovë–Serbi, për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për nevojën e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ne të gjithë po punojmë për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe për forcimin e perspektives euroatlantike”, ka shkruar Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme