Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se synim e ka arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi e ka quajtur “mrekulli” nëse do të ndodhë njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Kreu i shteti i bëri komentet para gazetarëve, gjatë një vizite në Prelez të Jerlive në Ferizaj, ku simbolikisht mori pjesë në fillimin e fushatës së korrje-shirjeve.
“Ajo që është shumë me rëndësi është që bartësit e institucioneve dhe partnerët e koalicionit tanimë kanë qëndrim të përbashkët, kanë qëndrim unik se dialogu duhet të fillojë, duhet të punohet seriozisht për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”, tha Thaçi.
“Askush s’do të mund të udhëheqë vetëm procesion negociator por edhe duhet të kuptohet se askush s’mund të bllokojë këtë proces për të ecur përpara. Synim ne e kemi arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Jam i vendosur të punojë për marrëveshje definitive të paqes dhe pajtimit, dhe të ndodhë njohja e reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, kjo do të jetë një arritje historike për Kosovën”.
“Që të ndodhë kjo mrekulli, njohja e Kosovës nga Serbia, duhet të kontribuojmë të gjithë, nuk duhet të frikësohemi për të diskutuar. Frikësohem që nëse nuk e arrijmë këtë marrëveshje, do të humbasim edhe vite apo dekada të tjera”, deklaroi presidenti Thaçi.