Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden, ka thënë se me ndihmën e partnerëve tanë është duke u punuar që Kosova të bëhet shembull i një shteti, ku respektohen të drejtat njerëzore dhe ku sundon rendi e ligji.
Ai ka thënë se është duke u punuar shumë që të rinjtë tanë të kenë më shumë mundësi për punë dhe mirëqenie.
“Po punojmë që talenteve tanë t’u japim mundësi ta dëshmojnë veten e tyre. Sa herë që ata e kanë pasur një mundësi të tillë, ata kanë shkëlqyer”, është shprehur presidenti Thaçi.
Në konferencën e përbashkët me zëvendëspresidentin Biden, presidenti Thaçi ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidat që kemi, mirëpo Kosovën do ta mbajmë në rrugën e sigurt të integrimit të saj euroatlantik.
Ndërsa, për demarkacionin me Malin e Zi dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se pa kalimin e demarkacionit dhe pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota.