Thaçi: Pa njohje të Kosovës nga Serbia s’ka avancim në marrëdhëniet bilaterale

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 12:29 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për zgjerim të shpejtë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor ka të bëjë me parandalimin e ndikimit të ideologjive të rrezikshme dhe me ndikimin e fuqive tjera anti-evropiane dhe anti-perëndimore”, ka thënë Thaçi në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt” (edicioni i së mërkurës).

“Në këto rrethana, ne shpresojmë të përshpejtojmë rrugën e Kosovës drejt Evropës”.

“Më duhet të paralajmëroj kundër një hezitimi apo edhe tërheqjeje të BE-së nga rajoni: BE-ja nuk ka llogari të hezitojë në Ballkan, në të kundërtën do të rritet ndikimi i Rusisë”, ka paralajmëruar Thaçi, transmeton Koha.net.

“BE-së nuk i konvenon një vrimë e zezë në Ballkan”, thotë Thaçi, vendi i të cilit, siç shkruan kjo gazetë, është në vendin e fundit për sa i përket listës së kandidatëve për anëtarësim në BE nga Evropa Juglindore.

Pajtimi është kusht kyç për anëtarësim në të ardhmen në BE. Thaçi, vetëm pak ditë më parë, nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Vendi fqinj, për dallim nga Serbia, njeh pavarësinë e Kosovës.

“Jam shumë i interesuar në ndërtimin e marrëdhënieve normale me Serbinë, në çka edhe varet e ardhmja e vendit tonë, dhe nuk guxojmë të ankohemi për kohët e kaluara, por të punojmë për të ardhmen”, tha presidenti Thaçi për gazetën gjermane.

“Nuk është në interesin e Serbisë, por në interesin e të gjithë rajonit që të avancojmë kah marrëdhëniet tona bilaterale, por një kusht është i pashmangshëm që Serbia të njohë fqinjin e saj Kosovën si shtet të pavarur”, përfundoi Thaçi.

Të ngjashme