Thaçi përuron pllakat “Bazë e UÇK”-së në shtëpitë e Hasan Tahirit dhe Idriz Nurakut në Plluzhinë

Prishtinë | 26 Maj 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në përurimin e pllakave “Bazë e UÇK”-së në shtëpitë e Hasan Tahirit dhe Idriz Nurakut në Plluzhinë të Skenderajt.

Thaçi ka thënë se kjo është një zonë e rezistencës së jashtëzakonshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Është mirë që vlerat më sublime të kombit, vlerat e luftës, vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht kohës, pavarësisht sa po kalojnë vitet, përsëri janë ato që na ofrojnë të gjithëve dhe na bashkojnë në çdo moment kudo që jemi si komb. Drenica është bastioni ku lindi, u zhvillua, u rrit dhe më pas u masivizua në tërë Kosovën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk lindi rastësisht në Drenicë, nuk lindi rastësisht prej bijave dhe bijve më të mirë të kombit, të atyre familjeve që brez pas brezi kontribuuan për lëvizjen çlirimtare të Kosovës, për lëvizjen kombëtare. Nuk lindi rastësisht në Drenicën e Hasan Prishtinës, të Azem Bejtës, të Shotë Galicës, të Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Fazli Grajçevcit e shumë e shumë atdhetarëve që janë monumente të lëvizjes kombëtare gjithë shqiptare. Pikërisht nga kjo frymë patriotike e bartur brez pas brezi te shumë gjenerata, erdhi momenti i rezistencës më të fuqishme, i projektit më madhor kombëtar dhe më të organizuar politik e ushtarak, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se përderisa respektohen këto vlera dhe respektohen familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, atëherë vendi është në rrugë të sigurt.

“Sot, mesazhi im është si mik i juaji, si bashkëluftëtar i juaji në vitet më të rënda për kombin, por edhe më krenaret për vendin tonë, qëndroni siç keni qenë gjithmonë të bashkuar edhe në luftë, edhe në paqe, edhe më tutje. Vetëm të bashkuar arritëm që të kemi sukses”, tha ai.

Duke iu drejtuar familjeve Tahiri dhe Nuraku në Plluzhinë të Skenderajt, presidenti Thaçi theksoi se shteti i Kosovës, në mënyrë institucionale po respekton dhe nderon rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë trevë, në fshatin Plluzhinë, Ticë, Likoc dhe gjithë këtë hapësirë, që ishte bërthama e masovizimit të Ushtrisë Çlirimtare për tërë Kosovën.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë se këtu erdhën për t’u shpërndarë në gjithë Kosovën veprimtarët më të mirë të kombit. Këtu erdhi edhe Fehmiu, edhe Xheva, edhe komandant Kumanova dhe shumë e shumë komandantë tjerë që ranë në istikamet e lirisë, për t’u shpërndarë më pas anekënd Kosovës, për të zgjeruar frontin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe nuk ishte e rastësishme pse erdhën këtu fillimisht. Erdhën, sepse këtu kishte filluar lufta. Këtu nuk kishte më Serbi, por kishte organizim. Këtu ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjet më të larta për të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës dhe për familjet e dëshmorëve.

“Kanë ra shumë heronj, shumë dëshmorë. Sot dhe çdoherë kur vijmë këtu dhe në çdo derë që trokasim dhe hyjmë, hyjmë në shtëpitë që kanë qenë shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm ai mobilizim i përgjithshëm bëri që ne të fitojmë”, ka thënë ai.

Përmes përurimit të pllakave “Bazë e UÇK”-së në shtëpitë e Hasan Tahirit dhe Idriz Nurakut në Plluzhinë të Skenderajt, Thaçi ka thënë se po kujtojnë dhe nderojnë rezistencën e luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme