Thaçi rrëfehet nesër para deputetëve

Prishtinë | 21 Dhj 2017 | 09:10 | Nga

Seanca e ardhshme e Kuvendit pritet të mbahet këtë të premte (në orën 13:30), ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, e cila u mbajt gjatë ditës së djeshme.
Me këtë rast kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se në këtë mbledhje nuk është arritur të merret ndonjë tjetër vendim lidhur me pikat e tjera të rendit të ditës, ku parashihej edhe shqyrtimi i dytë i projektbuxhetit për vitin 2018.

“Ditën e premte, në orën 13:30, presidenti u adresohet deputetëve dhe qytetarëve të vendit. Kjo ishte vendimmarrja e sotme, nuk patëm diçka tjetër përveç disa vendimeve teknike”, theksoi Veseli pas mbledhjes, shkruan “Zëri”.

Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, akuzoi Veselin se ka shkelur rregulloren, meqë nuk ka përfshirë në rend të ditës interpelancën (lidhur me gjuajtën me armë të zëvendëskryeministrit Dardan Gashi), të cilën e kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ne kemi bërë kërkesë për një interpelancë për sjelljen e pahijshme të një anëtari të kabinetit qeverisës, për një sjellje të pahijshme që është në kundërshtim me ligjin. Kërkesën për interpelancë e kemi bërë më 7 dhjetor, sipas rregullores së Kuvendit. Brenda 7 ditësh Qeveria duhet ta japë përgjigjen. Sot jemi me datën 20 dhjetor, pra më datën 16 është dashur Qeveria të japë përgjigje. Pas 7 ditësh Kryesia e Kuvendit është e obliguar ta fusë në rend dite të Kryesisë së Kuvendit, gjë që nuk u bë, por u shkel rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Hoti.

Ai më tej tha se LDK-ja ka kërkuar që në seancën e ardhshme të debatohet edhe rreth 100-ditëshit të qeverisë “Haradinaj”, mirëpo një gjë e tillë nuk u pranua nga ana e partive që ishin në pozitë.

“Kemi kërkuar në emër të LDK-së që Kuvendi të debatojë në seancën e radhës për raportin 100-ditësh të kësaj Qeverie, kemi kërkuar që të kemi debat në Kuvend, por nuk u pajtuan që kjo të futet në rend dite”, shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së

 

Të ngjashme