Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim të përbashkët me Kancelarin austriak, Sebastian Kurtz, Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kancelari austriak, si nikoqir i këtij takimi, theksoi se Austria gjatë udhëheqjes së Presidencës së BE-së, prioritet kryesor do të ketë politikat e zgjerimit dhe të fqinjësisë së mirë, si dhe ato të sigurisë dhe migracionit.
Një çështje tjetër, e cila ishte fokus primar i këtij takimi, ishte edhe procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja.
Lidhur me këtë proces, kancelari Kurtz inkurajoi të dy presidentët për të vazhduar përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje.
“Arritja e marrëveshjes është parakushti kryesor për anëtarësimin e dy shteteve në BE. Austria mbështet dialogun dhe arritjen e marrëveshjes, si dhe integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, theksoi Kurz.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shprehu mirënjohje Austrisë për ndihmën në kuadër të procesit te integrimit në BE dhe arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore me Serbinë.
Kreu i shtetit theksoi se Kosova, me përkushtim, do t’i përmbush kriteret për anëtarësim në BE dhe do të bëjë përpjekje serioze për arritjen e marrëveshjes paqësore ligjore me Serbinë.
“Përkrahja e Austrisë dhe e shteteve të tjera anëtare të BE-së, përkrahja e vazhdueshme e ShBA-së për arritjen e marrëveshjes janë vendimtare në këtë fazë përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por të domosdoshëm”, theksoi Thaçi.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Austri, presidenti Thaçi ka zhvilluar edhe shumë takime tjera me përfaqësues të shteteve të BE-së, të rajonit, profesorë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme botërore.