Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, shpallen qytetarë nderi të Komunës së Drenasit

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se janë shpallur “qytetar nderi” Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Sot, me propozimin tim, Kuvendi i Drenasit ua dha një mirënjohje simbolike, bijve të denjë të kombit, ish presidentit Hashim Thaçit, ish kryeparlamentarit Kadri Veselit, ish kryeparlamentarit dhe deputetit Jakup Krasniqit dhe ish deputetit Rexhep Selimi, titullin “Qytetar Nderi”. Mirënjohja nuk ka të bëj me politikën, por, ne këtu, në Kuvendin e komunës së Drenasit, dëshmojmë se ata janë heronj të luftës dhe paqes, për kontributin e tyre jetësor, ata janë edhe “Qytetarë Nderi”, të komunës së Drenasit, për aq sa do të ekzistojmë si komunë.”

Lladrovci ka thënë se historia lindi në Drenicë.

“Historia lindi këtu, në Drenicë, dhe ne me një simbolikë të thjeshtë, duam ta japim lajmin se ata edhe si qytetarë nderi, janë krenari e komunës tonë dhe krenari e kombit! Sot, jam shumë krenar, sepse mund të japim së bashku me asamblenë, një titull, titull që flet se ata janë pjesë e jona, janë krenaria jonë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Megjithëse jeni me trup larg, ne ju kemi pranë, sot e gjithmonë, juve çlirimtarë, juve liridashës, juve heronj të luftës e paqes! Krenar me asamblistët dhe asamblenë e komunës së Drenasit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit!”.

Të ngjashme