Thaçi vlerëson punën e Policisë, zotohet për luftimin e dhunës ndaj grave

Prishtinë | 06 Sht 2018 | 12:40 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi punën e deritanishme të pjesëtarëve të Policisë, në ceremoninë zyrtare me rastin e 19-vjetorit të themelimit të saj, raporton Ekonomia Online.

“Ndjehem krenar që kemi ndërtuar polici multientike, e cila është shembull në rajon. Ky progres është rezultat i punës suaj, angazhimit tuaj, por edhe përvojës dhe ekspertizës ndërkombëtare, prandaj jam mirënjohës për punën tuaj dhe miqve ndërkombëtarë që na qëndruan afër në forcimin e Policisë së Kosovës”, tha Thaçi.

“Policia e Kosovës që nga ditët e para, e posaçërisht pas luftës, u bë shtylla më e fortë e shtetndërtimit. Policia me gra dhe burra u bë shpejt institucioni më i besueshëm dhe i respektuar në Republikën e Kosovës”, tha ai.

“Me krenari raportet ndërkombëtare e vendosin Policinë e Kosovës lart mbi policitë e vendeve të rajonit. Ky institucion i ka dhënë Kosovës shumë, i ka dhënë arsye për të qenë krenar, dhe kuadro që kanë udhëhequr institucionet më të rëndësishme të shtetit tonë. Ju i keni dhënë Kosovës heronj si Enver Zymberin dhe të tjerë. Sot përulemi para jetës dhe veprës së tyre”.

Thaçi tha se institucionet dhe qeveria duhet të bëjnë çmos për çrrënjosjen e dukurive negative, raporton EO.

“Duhet të bëjmë shumë që policët e involvuar dhe të lidhur me korrupsion dhe krim të mos kenë mundësi ta veshin këtë uniformë të shenjtë. Ne duhet të bëjmë shumë në mbrojtjen e jetës së gruas.  Gruaja i nënshtrohet dhunës verbale dhe fizike, ajo që na bën të dallojmë është se si reagojnë institucionet dhe shoqëria në këtë aspekt. Jam i tmerruar me numrin e raportuar të dhunës ndaj gruas. Dua të jem edhe vetëkritik, është dashur të bëj më shumë në këtë drejtim dhe zotohem se luftimi i këtij fenomeni do të jetë prioriteti im kryesor dhe i vendit”, deklaroi Thaçi.

Ceremonia për 19-vjetorin e Policisë së Kosovës filloi me një minutë heshtje për 19 zyrtarët policorë, të cilët kanë rënë në krye të detyrës.

Të ngjashme