Themelohet Komisioni për matjen e territorit, do të drejtohet nga Hivzi Islami

Prishtinë | 24 Jan 2017 | 12:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës është mbledhur sot për herë të parë.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka propozuar për kryetar të këtij komisioni, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Hivzi Isalmin.

“Në emër të Qeverisë kisha propozuar që Hivzi Islami, kryetari i Akademisë Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ta drejtojë këtë punë të komisionit, dhe prej këtij momenti këtë çështje e lë në drejtim të kryetari të Akademisë. Vlerësojmë përkushtimin dhe punën e të gjithëve dhe shpresojmë që të jetë punë e pavarur me përgjegjësi dhe etikë profesionale”, ka thënë Mustafa.

“edhe Bashkësia Evropiane duhet ta dijë territorin e vendit të cilin e kanë njohur, në territorin ku kemi shpallur pavarësinë e shtetit”.

“Pra është mirë të mos krijohet konfuzion dhe të sqarohen këto gjëra. Është mirë edhe për ata që kanë pasur mendime të ndryshme edhe për të gjithë qytetarët që të sqarohen dhe fjala është vetëm për një nevojë që ne të kemi një përgjigje të saktë dhe kjo përgjigje është e dobishme për të gjithë, për Kuvendin e Kosovës pa i ndarë opozitën apo pozitën, për Qeverinë e Kosovës për institucionet e vendit dhe komunikimet tona që i kemi me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.

Kurse, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, tha se detyra që iu është ngarkuar nga Qeveria e Republikës dhe kryeministri i saj, nuk është e lehtë, as e pëlqyeshme, as popullarizuese, “ngase materia është e ndjeshme dhe komplekse dhe se debati tash e një vit e gjysmë është zhvilluar me tensione shumë të larta deri në skajshmëri”.

“Komisioni do të bëjë krejt çka është e mundur që ta kryej këtë detyrë me përgjegjësi të lartë profesionale, do të punoj në favor vetëm të një komponenti: të së vërtetës, dhe me këtë, të heqjes së dilemave rreth madhësisë territoriale të Kosovës para 25 gushtit 2015, dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënimin e Vijës Kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi. Përveç Qeverisë, këtë e kërkojnë, besoj, çdo njeri racional, opinioni i gjerë dhe bashkësia ndërkombëtare. Është e vërtetë se historia për shqiptarët e Ballkanit është treguar e padrejtë, veçanërisht sa i përket kufijve. Por mjerisht historinë dhe padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë, sepse kohët kanë ndryshuar dhe në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare ka një situatë krejtësisht tjetër. Këto padrejtësi i mbesin shkencës së historisë për t’i studiuar”.

“Ky Komision nuk do të merret me shkaqet dhe efektet politike të kufijve, me markim ose demarkim të tyre, as me aspekte tjera. Komisioni ka për detyrë vetëm të bëjë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të secilës zonë kadastrale dhe komunë administrative”, shtoi Islami.

Në këtë komision janë ftuar në cilësinë e anëtarëve përfaqësues nga: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës; Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore; Lëvizja Vetëvendosje!; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nisma për Kosovën; Dy ekspertë nga organizatat e shoqërisë civile; Agjencia e Kadastrës; Agjencia e Ujërave; Agjencia e Pyjeve; KOSTT-i; Agjencia Kosovare e Privatizimit; Policia e Kosovës; Agjencia e Statistikave të Kosovës; Komuna e Pejës; Komuna e Deçanit; Komuna e Burimit; Komuna e Junikut; Dy përfaqësues nga zona e Rugovës së komunës së Pejës.

Komisioni është bojkotuar nga përfaqësuesit e tri partive opozitare, VV, AAK-ja dhe Nisma.

ZKP-13
ZKP-09

Të ngjashme