Themelohet njësia zbatuese për “Autostradën e Dukagjinit”

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 15:52 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Drejtues Ndërministror për zhvillimin e projektit “Autostrada Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren”, që njihet jo formalisht edhe si “Autostrada e Dukagjinit”, mbajti takimin e parë të këtij komiteti.

Gjatë këtij takimi ministri Lekaj, i ka njoftuar anëtarët lidhur me nënshkrimin e kontratës për projektim të kësaj autostrade, e cila do të jetë e gjatë prej 91 kilometrash. Kompania projektuese do të ofrojë tri opsione për trasenë e kësaj autostrade dhe komiteti do të jetë autoriteti që përcakton se cila nga opsionet do të implementohet.

Ministri Lekaj, nga anëtarët e Komitetit Drejtues mori aprovimin për fillimin e themelimit të Njësisë për Zbatimin e Projektit, i cili njësit do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e projektit dhe koordinimin e punëve.

Njësia për zbatim të projektit do të përbëhet nga anëtarë të specializuar në fusha të caktuara që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, prokurimit, ekonomisë, ndikimit socio-ekonomik etj. Njësia për zbatim të projektit do të propozohet me vendim të veçantë nga ministri Lekaj, ku do të përcaktohen edhe detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të kësaj njësie, kurse komiteti do të jetë organi vendimmarrës i cili aprovon themelimin e kësaj njësie.

Autostrada e Dukagjinit deri më tani është më e gjata në Kosovë.​

Të ngjashme