Franz Kafka (1883 – 1924) është një nga prozatorët më të fuqishëm të shekullit të XX, vepra e të cilit vazhdon të ketë ndikim edhe sot e kësaj dite në botën letrare
Ai lindi në Pragë në një familje tregtare hebreje që i përkiste shtresës së lartë gjermanishtfolëse të këtij qyteti në periudhën e monarkisë austro – hungareze. Pas studimesh juridike, u punësua në një shoqëri sigurimesh, ku qëndroi deri pak vite para vdekjes kur i shpërtheu sëmundja e turbekulozit. Sa ishte gjallë botoi vetëm tri vëllime me tregime dhe proza të tjera të shkurtra të shpërndara në shtypin e kohës.
Rrallëherë i kënaqur me ato që shkruante, pjesën më të madhe të krijimeve i ndërpriste ose i shihte si të papërfunduara. Shumicën e dorëshkrimeve, ku përfshiheshin veç tregimeve të shumta tri romanet e papërfundura: “I humburi”, “Procesi” dhe “Kështjella”, bashkë me ditarët etj. ia la amanet që t’i digjte mikut të tij shkrimtar, Maks Brodit. Por, Brodi nuk e respektoi këtë dëshirë: në disa botime, prej vitit 1925 e në vazhdim, ai i dha botës të plotë shkrimtarin që magjepsi lexuesin edhe në ditët tona e që ndikoi zhvillimin e letërsisë botërore si asnjë tjetër autor i shekullit të XX-të.
Për lexuesit e Ekonomia Online, ne kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij të mençura:
Ai që s’di të gënjejë, mendon se të gjithë thonë të vërtetën.
Një libër duhet të jetë një kazmë që të çajë detin e ngrirë brenda nesh.
Shenja e parë e të kuptuarit shfaqet me dëshirën për të vdekur.
Njeriu i torturuar nga djajtë vetjak hakmerret marrëzisht ndaj të tjerëve.
Unë e dua, por nuk mund t’i flas. Kujdesem gjithmonë që të mos e takoj.
Pyetjet që nuk marrin përgjigje që në lindje, nuk do të marrin përgjigje kurrë.
Prindërit që presin mirënjohje nga të bijtë janë si fajdexhinjtë që rrezikojnë qëllimisht paratë e tyre në mënyrë që të arkëtojnë interesat.
Historia e njerëzimit është një çast mes dy hapave të një shtegtari.
Frika ime është esenca ime dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.
Është e vështirë të thuhet e vërteta, sepse përnjëmend ekziston vetëm një e tillë, por ajo është e gjallë dhe zotëron gjithashtu një fytyrë të gjallë e të paqëndrueshme.
E keqja e njeh të mirën, por e mira nuk e njeh të keqen.
Nuk mund të jetë kurrë e vogël dhurata që jepet me dashuri.
Dashuria nuk është problemi, si nuk është problemi makina: problemet i kanë shoferi, pasagjerët dhe rruga.