Thirret protesta e tretë kundër përgjimeve

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 13:06 | Nga

Qytetarët e lëvizjes #PROTESTOJ sot kanë mbajtur konferencë për shtyp ku u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe OJQ-ve të bashkohen në protestat e radhës.

Ata kanë paralajmëruar protestën e radhës, e cila do të mbahet në kryeqytet të mërkurën nga ora 19:00 me fillim nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri te sheshi “Skenderbeu”.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e nesërme”, ka thënë Kastriot Jahaj nga kjo lëvizje.

I shqetësuar për përgjimet e fundit të publikuara nga gazeta online Insajderi është shfaqur në konferencë Imer Mushkolaj, njëri nga organizatorët e protestave, kallxo.com. “Problemi është te sistemi politik kriminal që po e udhëheq këtë vend”, ka thënë Mushkolaj.

“Përgjimet që po i dëgjojmë janë bërë vetëm për dy muaj gjatë vitit 2011. Paramendojeni çfarë ka ndodhur me institucionet tona këto 5 vite”, është shprehur Mushkolaj.

Organizatorët kanë thënë se protestat nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimeve, që janë dhënia e përgjegjësive politike dhe penale nga të përgjuarit.

“Nuk e kemi nisë vetëm për një protestë. Ne do të vazhdojmë deri sa të arrihen qëllimet e kësaj serie protestash”, ka thënë Mushkolaj.

Protesta e të mërkurës do të jetë e treta me radhë e organizuar nga qytetarët pas dy të parave të mbajtura më 5 dhe 8 gusht ku morën pjesë qindra qytetarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme