Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Malishevë, në mbledhjen e katërt për këtë vit, të cilën e drejtoi nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, gjatë trajtimit të temave për sigurinë e përgjithshme, kanë bërë thirrje për qytetarët, që të mos përdorin mjete piroteknike për festa e fund vitit.
Fillimisht, KKSB, e ka vlerësuar të qetë dhe stabile situatën e sigurisë në territorin e Komunës së Malishevës, dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate. Po ashtu në këtë mbledhje, bazuar në raportet policore, u vlerësua se edhe rastet e veprave penale, kanë shënuar rënie të dukshme dhe kjo është gjë e mirë.
“Përdorimi i mjeteve piroteknike, gjatë festave të fund vitit, është një problematikë me të cilën përballen qytetarët, dhe KKSB, gjatë debatit në këtë mbledhje, doli me një apel, me moton “ I sigurt pa fishekzjarre TI dhe të Tjerët!””, thuhet në njoftimin e tyre.
Anëtarët e KKSB-së, në kuadër të masave preventive për përdorimin e mjeteve piroteknike, kërkuan nga inspektorati dhe organet tjera, që të mos i lejojnë subjektet afariste të palicencuara dhe shitësit ambulantë, që të shesin mjete piroteknike, ndërsa edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja, u shprehën të gatshëm të që kontribuojnë në këtë drejtim, edhe me ligjërata vetëdijesuese dhe masat tjera, që ti sensibilizojnë qytetarët, që të mos përdoren mjetet piroteknike. Po ashtu, u kërkua që të zbatohet edhe vendimi mos shitjen e mjeteve piroteknike për personat e mitur.
Temë tjetër, e cila u trajtua në këtë mbledhje, ishte edhe përgatitjet për sezonin dimëror, përkatësisht mirëmbajtja e rrugëve gjatë dimrit. Sipas drejtorit komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, Komuna e Malishevës, i ka marrë të gjitha masat dhe është e përgatitur për mirëmbajtjen e 220 kilometrave rrugë në të gjitha vendbanimet, e po ashtu, është e përgatitur edhe për rastet eventuale të vërshimeve që mund të ketë gjatë kësaj periudhe.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në mbledhjen e fundit, në mesin e urimeve për këtë vit, publikisht i ka uruar të gjithë për formimin e Ushtrisë së Kosovës, që pritet të ndodh nesër në Kuvendin e Kosovës.